04/26/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/26/2026 14:52
Pyetje: Ju keni më pak se dy muaj në detyrën si ministër, pas karrierës së gjatë diplomatike në shërbim të vendit. Si e shikoni cilësinë e debatit publik në Shqipëri dhe polarizimin e skajshëm në nivelin politik, tashmë në një rol ekzekutiv?
Ministri Hoxha: Debati publik në Shqipëri karakterizohet nga një intensitet i lartë emocional dhe një polarizim i theksuar politik. Ky nuk është një fenomen i rastësishëm, por rezultat i një kombinimi faktorësh historikë, institucionalë dhe kulturorë që janë ndërtuar ndër vite.
Së pari, kjo duhet parë në kontekstin e një tranzicioni të gjatë dhe shpesh të trazuar post-komunist. Shqipëria ka kaluar nga një sistem totalitar në një pluralizëm politik relativisht të ri, ku institucionet demokratike janë ende në proces konsolidimi.
Në mungesë të një tradite të gjatë të dialogut demokratik, politika eshtë zhvilluar dhe shpesh perceptohet më shumë si perballje mes palëve sesa si hapësirë për kompromis dhe ndërtim konsensusi.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe mediat, por sidomos mediat sociale. Shpejtësia e komunikimit dhe presioni për reagim të menjëhershëm favorizojnë deklarata të forta, të thjeshtuara dhe shpesh polarizuese, në vend të analizës së thelluar.
Sfida nuk është vetëm të ulim tonin e debatit, por të rrisim cilësinë e tij.
Pyetje: Në këtë kontekst, ditët e fundit, disa eksponentë të opozitës dhe politikanë shqiptarë ju kanë akuzuar duke marrë shkas nga një mesazh, ku pretendojnë se keni ndarë në një komunikim të brendshëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Cili është qëndrimi juaj?
Ministri Hoxha: Kjo çështje është sqaruar tashmë nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes një reagimi publik dhe nuk kam asgjë për të shtuar.
Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente.
Kushdo që dëshiron të njihet me pozicionet dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë karrierës sime diplomatike, e ka shumë të lehtë ta bëjë këtë, pasi gjithçka është publike dhe e dokumentuar.
Bëhet fjalë për 35 vite kontribut të pandërprerë në shërbim të interesit kombëtar.
Pyetje: Po sa i takon akuzave nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ju ka cilësuar me terma si "gangster", "tradhtar", ndër të tjera. Si përgjigjeni?
Ministri Hoxha: Këtë pikë e kam sqaruar më lartë. Nuk kam komente për atë deklaratë, e aq më pak për cilësorë të tillë qё nuk kanë asnjë lidhje me mua.
Pyetje: Ju jeni shprehur qartë në mbështetje të protestave paqësore të studentëve në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës. Si e shihni pozicionin e popullsisë shqiptare atje aktualisht?
Ministri Hoxha: Shqiptarët nё Maqedoninë e Veriut nuk përfaqësojnë thjesht një komunitet, por një popullsi me identitet të fortë dhe rol të pazëvendësueshëm. Ata janë element shtetformues dhe faktor kyç për stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Respektimi i plotë i të drejtave të tyre, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë në institucione, është standard themelor demokratik. Është domosdoshmëri jetike që shqiptarët atje të jenë të bashkuar në çështjet thelbësore.
Pyetje: Si i komentoni reagimet e aktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut?
Ministri Hoxha: Reagimet janë të ndryshme, por nuk do të bëj asnjë koment publik në këtë drejtim. Do të ftoja gjithsecilin të më kontaktojë drejtpërdrejt. Nuk kemi nevojë të komunikojmë me njëri-tjetrin përmes mediave apo mediave sociale. Jam tërësisht dhe gjithmonë i hapur për komunikim të drejtperdrejtë institucional.
Ndërkohë, kushdo ka interes të sinqertë për të njohur qendrimin tim apo të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikes së Shqipërisë, ai eshtë publik dhe i aksesueshëm.
Në çdo rast, do të këshilloja shmangien e keqinterpretimeve për të mos rënë pre e emocioneve të. pajustifikuara dhe e komunikimeve politike cinike e dashakeqe, që nuk i shërbejnë askujt.