Ministry of Defence - Republic of Albania

07/21/2026 | Press release | Distributed by Public on 07/22/2026 04:24

Fjala e Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi në Konferencën për Media

Fjala e Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi në Konferencën për Media

e martë, 21 korrik 2026 14:36

Fjala e Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi në Konferencën për Media

Të dashur gazetarë, përfaqësues të medias,

Përshëndetje të gjithëve!

Ju falenderoj shumë për praninë tuaj dhe më vjen shumë mirë që ritakohemi pikërisht në këtë konferencë për të ndarë me ju disa nga zhvillimet dhe angazhimet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë.

Samiti më i fundit i NATO-s, i mbajtur para gati 2 javësh në Ankara, e vendosi Shqipërinë në një moment veçanërisht të rëndësishëm për vetë rolin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte konfirmoi se samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet pikërisht në Tiranë dhe ky është një moment, i cili mbart një rëndësi të veçantë strategjike për vendin tonë, sikurse shpreh qartazi edhe vlerësimin dhe rolin e Shqipërisë si një aleate e besueshme dhe e përgjegjshme brenda Aleancës, si një kontribuese në sigurinë kolektive dhe për atë pozicion që ne kemi të fituar në hapësirën euroatlantike.

Koha dhe data kur do të mbahet Samiti i radhës, do të përcaktohet nga vetë Aleanca dhe organizimi i këtij samiti në vendin tonë është dëshmia më e madhe e besimit për Shqipërinë për evente të përmasave të tilla ndërkombëtare, si dhe për rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.

Sikurse po e shohim dhe po e ndjejmë çdo ditë, jemi në një moment ku mjedisi ndërkombëtar i sigurisë ka ndryshuar rrënjësisht. Sot, bota përballet me sfida të reja dhe të shumëfishta.

Lufta në Ukrainë ka ndryshuar konceptin e sigurisë, atë evropiane e më gjerë. Konfliktet dhe tensionet në rajone të ndryshme kanë treguar se stabiliteti nuk mund të merret më i mirëqenë dhe se nuk mund të konsiderohet më i garantuar, ndërsa kërcënimet kibernetike, lufta hibride, apo teknologjitë e tjera ushtarake, përdorimi i dronëve dhe zhvillimi i sistemeve moderne të mbrojtjes kanë ndryshuar edhe mënyrën se si këto shtete duhet të përgatiten.

Një realitet i ri për NATO-n, Shqipëria dhe NATO po hyjnë në një fazë të re, atë që në Aleancë quhet NATO 3.0.

E përkthyer ndryshe, NATO 3.0 përfaqëson:

• një Aleancë më të përgatitur;
• më të aftë;
• dhe një NATO që kërkon më shumë kapacitete dhe më shumë përgjegjësi nga çdo aleat.

Në NATO, periudha e Luftës së Ftohtë ishte ajo që konsiderohet NATO 1.0, pra ajo ku Aleanca ishte për parandalimin dhe frenimin e të gjitha situatave që i vinin nga Lindja. Një NATO e pas Luftës së Ftohtë ishte një Aleancë për menaxhimin e krizave; dhe NATO e sotme është një Aleancë e gatishmërisë, e kapaciteteve dhe e përgjegjësive të përbashkëta.

Pikërisht, në këtë drejtim, edhe Shqipëria po përgatitet për këtë realitet të ri:

• Po përgatitet për më shumë investime konkrete në mbrojtje dhe në siguri;
• Po përgatitet për forcimin e kapaciteteve konkrete ushtarake;
• Po përgatitet për rritjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura dhe teknologjisë;
• Si për fuqizimin e infrastrukturave strategjike, sigurisë kibernetike, etj.

Ndodhemi përballë një tranzicioni strategjik të NATO-s, ku Samiti i Ankarasë shënoi dhe fazën e dytë të kalimit nga premtimi tek përgjegjësia.

Për të qenë më të qartë, nuk po bëhemi një Aleancë agresive, përkundrazi po bëhet një Aleancë më e përgatitur për të garantuar paqen, ku çdo vend tashmë duhet të tregojë se si ndërtohet një shteg i besueshëm në përmbushjen e angazhimeve të veta.
Kjo do të thotë se diskutimi nuk është më vetëm: "Sa para do të shpenzohen?".
Diskutimi i vërtetë është: "Çfarë kapacitetesh do të ndërtohen me këto para?"

Historia ka treguar se qëndrueshmëria apo stabiliteti në Ballkan mund të kenë pasoja shumë më të gjera sesa vetë kufijtë e rajonit. Prandaj, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi të veçantë strategjike në sigurinë evropiane.

Nisur edhe nga pozicionimi i rëndësishëm gjeostrategjik që vendi ynë ka, forcimi i NATO-s është në interesin e drejtpërdrejtë të sigurisë së Shqipërisë.

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël në përmasë, por pozicioni i saj është strategjik dhe kontributi i saj në Aleancë patjetër që është në përputhje me dimensionin e saj gjeostrategjik.

Jemi një portë hyrëse drejt Ballkanit, jemi pjesë e korridoreve strategjike të mobilitetit, sikurse jemi një nga vendet me qëndrueshmëri politike dhe qartësisht të pozicionuara në frymën euroatlantike të rajonit.

Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr edhe Korridori VIII, i cili shkon përtej zhvillimit ekonomik për vetë veçantinë që ka në lidhje me mobilitetin ushtarak; me lidhjen me Adriatik dhe Detin e Zi, me transportin e trupave dhe pajisjeve; si dhe forcimin e krahut lindor të Aleancës.

Shqipëria tashmë ka hyrë në atë që NATO konsiderohet një shteg i besueshëm i rritjes së investimeve në mbrojtje, teksa qeveria shqiptare e ka rritur në mënyrë progresive financimin për mbrojtjen.

Shqipëria ka arritur sot në nivelin e 2.6% të GDP-së të alokuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, pa përfshirë investime të tjera që lidhen me sigurinë kibernetike, infrastrukturat kritike dhe mobilitetin ushtarak.

Ky është një tregues konkret se Shqipëria po ndërmerr hapa realë në përmbushjen e detyrimeve të saj.
Ndërkohë, dëshiroj gjithashtu që të jem i qartë se:

• Shpenzimet për mbrojtjen nuk janë qëllim në vetvete.
• Investimet në mbrojtje nuk janë thjesht një detyrim ndaj Aleancës.
• Shpenzimet për mbrojtjen janë një investim në sigurinë kombëtare, në stabilitetin e vendit dhe në të ardhmen e Shqipërisë.

Një shtet modern nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa siguri dhe Shqipëria nuk po ndërton një sistem mbrojtjeje të izoluar. Ajo që po ndërton Shqipëria sot, janë kapacitetet e saj si pjesë e një sistemi kolektiv të mbrojtjes së NATO-s.

Dhe pa siguri, është plotësisht e pamundur që të kemi zhvillim ekonomik afatgjatë apo investime të qëndrueshme, infrastrukturë të mbrojtur apo një pozicion sa më të fortë në hapësirën evropiane. Prandaj, ne e konsiderojmë fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes, si pjesë të një vizioni më të gjerë kombëtar.

Më shumë kapacitete reale, më shumë teknologji e modernizim, më shumë njerëz të mirë-përgatitur në kontekstet e reja gjeopolitike, ashtu si dhe Forcë të Armatosur më të aftë për të mbrojtur vendin dhe për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, prioriteti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë dhe mbetet modernizimi i Forcave të Armatosura, një proces, i cili nuk është thjesht pajisje me sisteme moderne, por një proces i përqendruar në fuqizimin e kapitaleve njerëzore, profesionistëve të mirë-arsimuar, të mirë trajnuar, me një kulturë të jashtëzakonshme gatishmërie dhe përgjegjshmërie ndaj atdheut.

Prandaj, kemi vijuar punën për rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore, zhvillimin e karrierës bazuar në meritë dhe forcimin e arsimit ushtarak.

Akademia e Forcave të Armatosura, programet e formimit profesional, si dhe bashkëpunimi me akademitë e vendeve aleate janë pjesë e këtij vizioni.

Në të njëjtën kohë, kemi parë rritjen e interesit të të rinjve për t'u bërë pjesë e Forcave të Armatosura çdo ditë.
Referuar statistikave te rekrutimit në vite për ushtarë dhe detarë, rezulton se në dy vitet e fundit kemi një rritje të interesimit për t'u bërë pjesë e Forcave të Armatosura në mënyrë të konsiderueshme. Kemi patur një rritje prej rreth 90% rekrutime më shumë së në vitin 2024, nga të cilët 8-10% e kandidatëve kanë qenë me arsim të lartë dhe 75%-78% kanë qenë me arsim të mesëm. Për çdo fazë rekrutimi, 12-13% e tyre kanë qenë të gjinisë femër.

Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të jetë kontribuese aktive në misionet ndërkombëtare.

Ushtarakët tanë janë sot pjesë e operacioneve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara. Ata shërbejnë në Kosovë, në Letoni, në Bullgari, në Bosnje-Hercegovinë dhe në misionet e tjera ndërkombëtare. Ky është një tregues i qartë se Shqipëria nuk është vetëm përfituese e sigurisë kolektive, por një aleate e besuar me përgjegjësi. Në këtë drejtim, Shqipëria vazhdon të kontribuojë jo vetëm në këto misione me njerëz, por edhe me përgatitjen brenda në territor, ngritjen e asaj që quhet infrastruktura e mbrojtjes edhe në industrinë e mbrojtjes.

Në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare, shoqëria shtetërore KAYO dhe qasja që kjo qeveri i ka dhënë kësaj shoqërie, shkon drejt së ardhmes në funksionimin dhe zhvillimin e kapaciteteve kombëtare në këtë territor.

Sikurse jeni në dijeni, një hap i rëndësishëm i fundit i shoqërisë KAYO është bashkëpunimi me kompaninë prestigjioze ndërkombëtare FINCANTIERI, e cila është një nga kompanitë më të mëdha në botë në ndërtimin e anijeve. Marrëveshja me shoqërinë FINCANTIERI do të gjenerojë rreth 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit. Ndërsa, bashkëpunimi i fundit i nënshkruar mes shoqërinë KAYO, shoqërisë FINCANTIERI dhe shkollës së mesme "Pavarësia" në Vlorë garanton trajnimin e të rinjve dhe të rejave në qytetin e Vlorës, në mënyrë që ata të jenë burimi njerëzor i parë për punën që do të ndodhi në kantierin e Pashalimanit.

Po në këtë frymë, hapja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit është një tjetër investim strategjik për të ardhmen. Ajo përfaqëson një hap dhe një vlerë të transformimit dhe modernizimit të Forcës Ajrore, duke krijuar mundësinë që ne të kemi trajnimin e pilotëve, këtu në Republikën e Shqipërisë dhe ata të jenë të pajisur për të kryer operacione komplekse në ajër.
Qasja e qeverisë shqiptare është tejet e qartë: Shqipëria nuk synon vetëm të investojë në pajisje, nuk synon vetëm të investojë në teknologji, por synon të ndërtojë dije, ekspertizë dhe kapacitete sipas standardeve më të larta bashkëkohore.

Në fund, por jo më pak nga rëndësia, më lejoni të ndalem shkurtimisht edhe te situata e zjarreve e sezonit veror, si dhe besoj që ka një interes për të gjithë qytetarët shqiptar.

Mbështetja e Forcave të Armatosura është aktivizuar në operacione ku përmasat e zjarreve në terren kanë qenë në një intensitet shumë të lartë apo në zona ku ka pasur dhe janë kërkuar kapacitete shtesë, pasi janë ezauruar të gjithë kapacitetet vendore dhe është evidentuar risku i shtuar për jetën e njerëzve dhe pronën.

Efektivët dhe mjetet e Forcave të Armatosura janë angazhuar në Klos-Hekal, në Drizë të Fierit, Ishull-Shëngjin, apo kudo ku ka qenë e nevojshme.

Në këto operacione janë evidentuar gjithsej rreth 104 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas mjeteve, autobotëve dhe kapaciteteve të tjera mbështetëse. Angazhimi i Forcave të Armatosura ka qenë plotësisht ndaj kapaciteteve vendore dhe ka kontribuar në përforcimin e operacioneve tokësore, furnizimin me ujë, kufizimin e përhapjes dhe kufizimit të zjarrit, dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.

Nëpërmjet Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka ndjekur zhvillimin e situatës, ka administruar raportimet e ardhura nga strukturat vendore dhe ka koordinuar kërkesat për aktivizimin e kapaciteteve shtesë tokësore apo nga ajri.

Shpreh mirënjohjen time, respektin më të sinqertë ndaj secilit zjarrfikës, stafi mbështetës, efektivi ushtarak apo personeli nga secila strukturë, ato vendore apo ato qendrore, që janë angazhuar me sakrificë në shuarjen dhe menaxhimin e zjarreve.

Vlen të nënvizohet se patrullimi i monitorimit ditor nga ajri bëhet me anë të dronëve Bayraktar dhe ka rezultuar një masë efektive për evidentimin e hershëm të vatrave të zjarrit, ndjekjen e zhvillimit të tyre dhe orientimin në kohë të forcave operacionale për izolimin dhe neutralizimin e vatrave.

Dua të bëj edhe një thirrje të sinqertë në fund për të gjithë qytetarët shqiptarë, sidomos me ata që merren me blegtori apo që kanë aktivitetin e tyre, edhe në zonat që janë larg qendrave urbane, që të mos të ndezin zjarre në ambiente të hapura apo në toka bujqësore, pranë pyjeve, kullotave apo zonave me bimësi, sidomos në kushtet e temperaturave të larta. Duhet të jenë të vetëdijshëm që vegjetacioni është i thatë, një vatër e vogël mund të përhapet brenda pak minutash dhe të rrezikojë jetën, pronën dhe mjedisin.

Mesazhi ynë për qytetarët është i qartë!

Parandalimi është mbrojtja më e mirë dhe një vatër e vogël e raportuar në kohë mund të parandalohet përpara se të kthehet në një emergjencë të madhe.

Faleminderit shumë për vëmendjen tuaj!


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on July 21, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on July 22, 2026 at 10:24 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]