09/17/2026 | Press release | Distributed by Public on 09/17/2026 05:40
Ministri Nufi: "Mbrojtja civile nuk mund të ndërtohet vetëm mbi reagimin, duhet parandalim"
"Nuk mund ta ndërtojmë mbrojtjen civile vetëm mbi reagimin. Ne duhet të jemi po aq të fortë në parandalim, sa ç'jemi edhe në reagim". Ky ishte mesazhi që ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi përcolli gjatë fjalës së tij, në hapjen e konferencës ndërkombëtare "Tirana Fire Safety 2026", që zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e ekspertëve, institucioneve publike, profesionistëve, akademisë dhe përfaqësuesve të industrisë së ndërtimit e teknologjisë.
Në një kohë të zhvillimit të shpejtë urban dhe ndërtimit të strukturave gjithnjë e më të mëdha e komplekse, ministri Nufi nënvizoi rëndësinë e rritjes së standardeve të sigurisë nga zjarri. Sipas ministrit, siguria duhet të merret në konsideratë që në fazën e projektimit të ndërtesave dhe strukturave.
"Sigurinë s'mund ta marrim si të mirëqenë dhe siguria s'mund të jetë asnjëherë një mendim i mëvonshëm. Ajo duhet të projektohet që në fillim!" - nënvizoi ai.
Duke iu referuar kësaj vere si një nga verat më të nxehta, ministri Nufi bëri të ditur se deri më 9 shtator 2026, sistemi i mbrojtjes civile është përballur me 81 raste zjarresh masive, të cilat kanë kërkuar angazhim të mbi 14,600 forcave, angazhim të gati 1,350 mjetesh tokësore dhe 180 operacione ajrore.
"Pas këtyre shifrave janë njerëz, orë pune, sakrifica dhe një përpjekje e përbashkët e Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse, strukturave të pushtetit vendor, Policisë së Shtetit, shërbimeve pyjore, administratave të zonave të mbrojtura, vullnetarëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit", - u shpreh Nufi.
Ai theksoi se sistemi i mbrojtjes civile, i orientuar nga Ligji "Për mbrojtjen civile", vendos në qendër zvogëlimin e riskut, parandalimin, gatishmërinë, koordinimin dhe aftësinë ripërtëritëse të komuniteteve.
Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, ekspertëve dhe sektorit privat, pasi siguria nga zjarri kërkon standarde të qarta, projektim të sigurt, zbatim korrekt, inspektim efektiv dhe përdorim të teknologjive moderne.
"Siguria nga zjarri nuk është vetëm një detyrim teknik apo administrativ, ajo është pjesë e sigurisë publike, e cilësisë së zhvillimit urban dhe e qëndrueshmërisë së komuniteteve tona", - u shpreh ai.
Ndër të tjera, ministri i Mbrojtjes Nufi theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian krijon mundësi për rritjen e standardeve, trajnimin e personelit, zhvillimin e kapaciteteve të ndërveprueshme dhe përvetësimin e praktikave më të mira evropiane.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe institucionet e tjera, tha Nufi: "Do të vijojnë të mbështesin nisma që sjellin më shumë standarde, ekspertizë, teknologji, bashkëpunim dhe kulturë parandalimi, me synimin për komunitete më të sigurta dhe më pak dëme nga emergjencat civile".
Konferenca "Tirana Fire Safety 2026" zhvillohet për dy ditë në "Tirana International Hotel" dhe bashkon ekspertë ndërkombëtarë, profesionistë të industrisë, autoritete publike, inxhinierë, konsulentë, prodhues dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit.