Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

04/04/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/04/2026 05:33

Hoxha dialog me studentët e Korçës: Integrimi evropian nuk është më ëndërr por projekt real. Kapitali njerëzor, potenciali ynë i madh

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, u ndalën në Korçë, në kuadër të turit të dialogut me të rinjtë "BE dhe Ti, Evropa fillon këtu".

Në bashkëbisedimin me studentët e Universitetit "Fan Noli", Hoxha tha se në thelb, projekti evropian për të cilin Shqipëria po punon "është një proces transformimi që kërkon të sjellë Evropën në shtëpi".

"Unë kam kaluar dy vjet në Bruksel si përfaqësuesi i Shqipërisë atje dhe kam pasur fatin dhe nderin të jem në zemër të procesit të integrimit dhe kisha përshtypjen që integrimi shikohej si diçka e largët, si diçka teknike, e ftohtë, me letra shumë dhe në të vërtetë ka shumë nga këto, është e vërtetë që procesi është teknik, është e vërtetë që procesi ka pjesën e vet politike, por ajo që do doja dhe do donim të verifikonim është se sa e kemi kuptuar që në fakt, në thelb është një proces transformimi rrënjësor, është një proces i rindërtimit të Shqipërisë, të institucioneve në të gjitha fushat që prekin përditshmërinë tonë. Në këto tridhjetë e ca vite, kjo ëndërr është bërë perspektivë, herë ka qenë afër, e herë qenë larg, po kurrë nuk ka qenë siç është sot, që nuk është më as ëndërr, as perspektivë, por është një projekt", tha Ministri Hoxha.

Sipas tij, impakti i të gjitha reformave që kryhen, ndihet më së pari në Shqipëri, në çdo fushë që prek interesat e qytetarëve shqiptarë.

"Mbledhjet bëhen në Bruksel dhe unë e kam parë sepse nga atje vij, por reformat bëhen në Shqipëri, impakti i tyre është në Shqipëri. Të mira apo të keqija qofshin, ato janë dhe mbeten ne Shqiperi. Vendimet sigurisht merren ne Bruksel, jo gjithmonë në praninë tonë, sepse nuk jemi rreth tavolinës akoma, por por impakti i reformave, gjithçka qe ka lidhje me ato vendime që po marrin, me ato ligje që po miratohen, me ato procedura që po përmirësojnë, me ato institucione që po forcojmë, është absolutisht e lidhur vetëm këtu", shtoi Hoxha.

I pyetur nga studentët se cila është pika e fortë e Shqipërisë në këtë proces, Ministri veçoi ndër të tjera kapitalin e madh njerëzor.

"Ne kemi një kapacitet njerëzor të jashtëzakonshëm, është vetëm në dorën tonë se si ta vëmë në shfrytëzim këtë për të mirën personale, dhe kolektive. E dyta Shqipëria ka një shoqëri të hapur, ka një shoqëri ku ne bazë dhe në themel është respekti. Jo vetëm thjesht mes komuniteteve fetare, por në tërësi mes diferencave që ka në rajone të ndryshme.

Pra ne kemi një shoqëri e cila është në një kohezion shumë të admirueshëm dhe këtë gjë që e kemi ndërtuar vetë dhe e ruajmë si thesar të mirë, ne mund, duam ta ndajmë me Bashkimin Europian, duke u bërë pjesë e këtij ansambli. Në zbulimin që i kemi bërë vetes dhe në zbulimin që na ka bërë Evropa, ne kemi konkluduar në mënyrën më të thjeshtë dhe të drejperdrejtë që jemi absolutisht të barabartë. Evropa ka nevojë të vazhdojë të injektojë në këtë projekt paqe duke zgjeruar rrethin sepse duke zgjeruar rrethin zgjeron hapesirën e paqes dhe forcon modelin që është më i miri që ka njohur ndonjëherë historia", përfundoi Hoxha.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on April 04, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on April 04, 2026 at 11:33 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]