Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

12/29/2025 | Press release | Distributed by Public on 12/29/2025 07:44

Përvjetori i 70-të i Anëtarësimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara

Mesazh i Përbashkët i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

Teksa afron fundviti, festojmë një moment historik me rëndësi të veçantë: 70-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Më 14 dhjetor 1955, Shqipëria iu bashkua OKB-së së bashku me 15 vende të tjera, duke riafirmuar angazhimin e saj ndaj multilateralizmit dhe parimeve të përbashkëta të paqes, bashkëpunimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Shqipëria ka luajtur një rol aktiv në kuadër të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për promovimin e paqes dhe sigurisë, avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Së fundmi, Shqipëria shërbeu si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023, është aktualisht anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe ka bashkëudhëhequr, së bashku me Kenian, negociatat për rezultatet e procesit të rishikimit të Samitit Botëror për Shoqërinë e Informacionit (WSIS+20). Ndër vite, Shqipëria ka dërguar gjithashtu qindra paqeruajtës në misionet e OKB-së në mbarë botën, duke kontribuar drejtpërdrejt në stabilitet dhe mbrojtje në kontekste të brishta dhe të prekura nga konfliktet.

Angazhimi i Shqipërisë me Kombet e Bashkuara pasqyrohet më tej në qindra profesionistë shqiptarë që punojnë në të gjithë sistemin e OKB-së globalisht dhe në nivel vendi, përfshirë stafin kombëtar në Shqipëri. Puna e tyre e përditshme - në fushat e paqes dhe sigurisë, zhvillimit, ndihmës humanitare dhe të drejtave të njeriut - dëshmon kontributin e Shqipërisë në veprimin multilateral në mënyrë praktike dhe njerëzore.

Në nivel kombëtar, partneriteti midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara ka vijuar të thellohet, duke mbështetur prioritetet dhe reformat kombëtare, avancuar Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe forcuar institucionet, kapitalin njerëzor, kohezionin social dhe qëndrueshmërinë në dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe të të drejtave të njeriut. Ky bashkëpunim pasqyron një përgjegjësi të përbashkët për të ofruar rezultate konkrete për njerëzit dhe për të siguruar që askush të mos mbetet pas.

Ndërsa e përkujtojmë këtë përvjetor gjatë sezonit festiv, kujtojmë se bashkëpunimi efektiv multilateral nuk është vetëm një trashëgimi e 70 viteve të fundit, por një domosdoshmëri për të ardhmen. Së bashku, riafirmojmë angazhimin tonë për një Organizatë të Kombeve të Bashkuara të fortë dhe efektive, si dhe për vazhdimin e partneritetit në përballjen me sfidat globale dhe kombëtare.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri përcjellin urimet e tyre më të përzemërta për një sezon festash të gëzuar dhe një Vit të Ri të shënuar nga shpresa e ripërtërirë, përparimi dhe një partneritet i forcuar në shërbim të njerëzimit.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on December 29, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on December 29, 2025 at 13:44 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]