05/19/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/19/2026 04:33
Është kënaqësi e veçantë për mua të pres sot në Tiranë Zëvendëskryeministrin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, homologun dhe mikun tim, z. Ervin Ibrahimović.
Dobro došli u Tiranu.
Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë, jo vetëm për frymën shumë të mirë dhe përmbajtësore të marrëdhënieve dhe dialogut tonë politik, por edhe për simbolikën që mbart, pasi zhvillohet në 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, njëkohësisht me 20-vjetorin e rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi.
Diskutimet tona të sotme që do të vijojnë edhe gjatë ditës u zhvilluan në frymën e miqësisë së qëndrueshme që ka karakterizuar marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira shqiptaro-malazeze. Përgjatë këtyre dy dekadave, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ndërtuar, me vullnet të përbashkët, një model të vërtetë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
Sot bashkëpunojmë ngushtësisht si vende mike, partnerë, si aleatë në NATO, në një gamë të gjerë fushash, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e shumëpalësh.
Pikërisht për t'iu përgjigjur këtij niveli të intensifikuar të marrëdhënieve tona, i propozova kolegut Ibrahimović që të shikojmë, të analizojmë gjithçka që kemi arritur deri tani, të analizojmë marrëveshjet që kemi nënshkruar, të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë, më mirë, më shpejt, në interes të dy vendeve tona, të shoqërive tona, në interes të dialogut dhe për këtë mendojmë që në një moment të përshtatshëm të riaktivizojmë një mekanizëm të rëndësishëm mes dy vendeve tona që është Takimi Ndërqeveritar, Qeveri me Qeveri (G2G), natyrisht në momentin e duhur, kur të kemi elementët e nevojshëm për të shkuar më tej, për të bërë më shumë dhe për të çuar marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë, sepse është një mekanizëm i rëndësishëm për të avancuar projektet konkrete ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes.
U dakordësuam se vëmendja jonë duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te projektet ndërkufitare që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, do të angazhohemi për tu dhënë shtysë projekteve prioritare si hapja e Pikës së Përbashkët Kufitare Zogaj-Skje, avancimi i projektit të Urës mbi lumin Buna, si dhe hekurudha Podgoricë-Hani i Hotit.
Shqiptarët në Mal të Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri mbeten ura të fuqishme lidhëse mes dy vendeve tona dhe një pasuri e çmuar e marrëdhënieve tona. Shqipëria mbetet e palëkundur që minoriteti malazez të gëzojë të gjitha të drejtat që garantohen nga ligji, ligji kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu siç presim që komuniteti shqiptar në Mal të Zi të vijojë të ketë përfaqësim të drejtë dhe proporcional në jetën institucionale dhe administratën publike.
Shqipëria vlerëson lart bashkëpunimin e ngushtë me Malin e Zi dhe rolin konstruktiv që të dy vendet tona luajnë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Jemi të përkushtuar për të ndërtuar ura jo vetëm mbi lumin Buna, por ura mirëkuptimi, pajtimi dhe bashkëpunimi në rajon, me vizionin e një Ballkani Perëndimor më të ndërlidhur, më të begatë dhe pa barriera.
Askush nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke parë nga e kaluara. Për më pak rajoni ynë. E ardhmja jonë evropiane, individuale dhe kolektive, ndërtohet duke shikuar përpara me vizion dhe largpamësi, siç po bëjnë të dy vendet tona.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi rajonal, zbatimi i Planit të Rritjes dhe mbajtja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në qendër të vëmendjes strategjike mbeten thelbësore për të ardhmen e vendeve tona dhe të gjithë rajonit tonë.
E përgëzova kolegun Ibrahimović për progresin e rëndësishëm të Malit të Zi në negociatat me Bashkimin Evropian. Çdo sukses i Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit në BE është një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe një kontribut i rëndësishëm për forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen sot nga të tjerët si vende pararojë të procesit të zgjerimit, një proces i bazuar në meritë, ku matësi kryesor mbetet ecuria konkrete dhe cilësia e reformave të ndërmarra.
Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian vlerësohet mbi bazën e rezultateve të prekshme, përkushtimit të qëndrueshëm dhe aftësisë për të përmbushur standardet dhe detyrimet që rezultojnë nga procesi ku jemi angazhuar për të ardhmen europiane.
Ne do të vijojmë të bashkërendojmë ngushtësisht qëndrimet, të shkëmbejmë eksperiencë dhe ekspertizë, dhe të mbështesim njëri-tjetrin në përmbushjen e detyrimeve të negociatave, me synimin që së shpejti të ulemi bashkërisht si dy anëtarë të rinj në tryezën e Bashkimit Evropian.
Jam i bindur se marrëdhëniet tona do të vijojnë të forcohen edhe më tej në të ardhmen, në dobi të qytetarëve tanë dhe të stabilitetit dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Edhe një herë, shumë faleminderit Ervin, për vizitën dhe për diskutimet e frytshme!
Josh Jednom, Hvala Ervine.