05/20/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/20/2026 15:01
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, znj. Megi Fino mori pjesë në Konferencën e Dytë Ministrore për Operacionet Paqeruajtëse në Mjediset Frankofone. Zëvendësministrja Fino rikonfirmoi angazhimin e fortë të Shqipërisë ndaj multilateralizmit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe rolit qendror të Kombeve të Bashkuara në përballimin e sfidave gjithnjë e më komplekse globale.
Shqipëria shprehu mbështetjen e saj të plotë për përpjekjet reformuese të Kombeve të Bashkuara, përfshirë nismën "Action for Peacekeeping Plus", "Pact for the Future", si dhe proceset më të gjera të reformimit që synojnë rritjen e efektivitetit, përshtatshmërisë dhe besueshmërisë së operacioneve paqeruajtëse.
Zëvendësministrja vuri në dukje kontributin afatgjatë të Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare të paqes. Që prej vitit 1996, afro 8,000 efektivë shqiptarë kanë marrë pjesë në misione ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë nën kuadrin e Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë. Angazhimi i Shqipërisë përfshin gjithashtu kontribute në mjedise frankofone si Çadi, Republika e Afrikës Qendrore dhe Republika Demokratike e Kongos.
Zëvendësministrja theksoi se këto përvoja kanë forcuar bindjen se efektiviteti i operacioneve paqeruajtëse varet nga profesionalizmi operacional, përgatitja, përshtatshmëria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Duke parë drejt së ardhmes, Shqipëria rikonfirmoi synimin për të rritur gradualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme kontributin e saj në operacionet paqeruajtëse të OKB-së, veçanërisht në mjediset frankofone. Zëvendësministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të partneriteteve, duke theksuar se bashkëpunimi i zgjeruar është thelbësor për përballimin e krizave gjithnjë e më komplekse dhe shumëdimensionale.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua agjendës "Gratë, Paqja dhe Siguria". Shqipëria ritheksoi mbështetjen e saj të fortë për pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, si dhe për zbatimin e plotë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutave përkatëse.
Në përfundim të fjalës së saj, Zëvendësministrja rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Deklaratën e Rabatit dhe vizionin e saj për operacione paqeruajtëse më të forta, më të përshtatshme dhe më gjithëpërfshirëse.