Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon konferencën e nivelit të lartë "Parandalimi i Manipulimit dhe Ndërhyrjes së Huaj në Informacion: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit të Bashkimit Evropian", e cila do të zhvillohet më 27 korrik 2026 në Tiranë.
Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI) përbëjnë një nga sfidat më të rëndësishme për demokracinë, besimin publik dhe sigurinë evropiane. Konferenca do të trajtojë zhvillimet më të fundit në këtë fushë, përgjigjen e Bashkimit Evropian ndaj kërcënimeve hibride, si dhe instrumentet e zhvilluara për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, përfshirë Mburojën Evropiane për Demokracinë dhe mekanizmat për parandalimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion.
Diskutimet do të përqendrohen në përvojën e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sfidat e mjedisit informativ, forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e qëndrueshmërisë së medias dhe mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike përballë kërcënimeve të reja hibride.
Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe evropiane, ekspertë, akademikë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sektorit të teknologjisë, të cilët do të diskutojnë praktika konkrete, përvoja të suksesshme dhe mundësi bashkëpunimi për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike.