07/01/2026 | Press release | Distributed by Public on 07/01/2026 02:17
Në kuadër të vizitës së punës në Luksemburg, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën mbi Mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, ku mbajti fjalën kryesore në emër të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxha theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një aspiratë e largët, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës. Ai nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian janë të pandashme, ndërsa anëtarësimi në BE mbetet projekti kombëtar i Shqipërisë dhe busulla që udhëheq reformat, forcimin e institucioneve dhe politikën e jashtme të vendit.
Ministri Hoxha vlerësoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një instrument që dëshmon aftësinë e Bashkimit Evropian për të ofruar zgjidhje konkrete, duke theksuar se Mekanizmi për Reforma dhe Rritje shpërblen rezultatet e arritura dhe forcon qeverisjen, llogaridhënien dhe kapacitetet institucionale.
Duke u ndalur te progresi i Shqipërisë, Ministri Hoxha bëri të ditur se vendi ka siguruar tashmë 212.8 milionë euro, shuma më e lartë e përfituar në Ballkanin Perëndimor, falë zbatimit me sukses të reformave. Ai theksoi gjithashtu nevojën për një lidhje më të qartë dhe më të parashikueshme ndërmjet reformave të Planit të Rritjes dhe procesit të anëtarësimit në BE, me qëllim përshpejtimin dhe rritjen e cilësisë së zbatimit të tyre. Sipas tij, edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, reformat dhe investimet plotësojnë njëra-tjetrën, duke përshpejtuar konvergjencën e rajonit me Bashkimin Evropian.
Në përfundim, Ministri Hoxha nënvizoi se zgjerimi është një përgjegjësi e përbashkët. Sipas tij, vendet kandidate duhet të vazhdojnë të zbatojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që progresi real të njihet dhe të shpërblehet, pasi besueshmëria dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësore për suksesin e procesit.