06/10/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/10/2026 06:05
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në Takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, SEECP, çka shënon njëkohësisht edhe 30-vjetorin e këtij procesi.
Ministri theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi rajonal duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve tona të përbashkëta.
"Procesi i Berlinit, Plani i Rritjes, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nismat më të gjera të ndërlidhjes, përfshirë Korridorin VIII dhe projekte të tjera strategjike, vazhdojnë të ofrojnë mundësi konkrete për thellimin e integrimit ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë", tha Hoxha.
Rruga jonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas Ministrit, ka hyrë në fazën e saj më dinamike dhe më përcaktuese.
"Objektivi ynë mbetet ambicioz, por realist: përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030. Një proces i suksesshëm zgjerimi, i bazuar në meritë, mund të funksionojë vetëm nëse është i besueshëm dhe i qëndrueshëm nga të dyja palët. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të përmbushur përgjegjësitë tona dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme për arritjen e këtij objektivi", deklaroi Hoxha.