01/14/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/14/2026 06:29
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektoi mjediset e repartit të Batalionit të Emergjencave Civile në Mengël të Elbasanit, një nga bazat me përdorim të dyfishtë, që po forcohen si pjesë e rrjetit kombëtar të sigurisë dhe reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.
Gjatë inspektimit, ministri Vengu theksoi se Mengeli është pjesë integrale e rrjetit të bazave që synohet të bëhen gjithnjë e më funksionale, me kapacitete të shtuara njerëzore dhe logjistike, duke përmbushur njëkohësisht nevojat ushtarake dhe ato të emergjencave civile. Sipas tij, kjo qasje garanton rritjen e kapaciteteve luftarake, por edhe mbështetje konkrete për komunitetet në raste emergjencash.
Ministri nënvizoi se përmes rekrutimeve intensive dhe investimeve në infrastrukturë, reparte të vjetra po rijetëzohen dhe po shndërrohen në pika kyçe mbështetëse për menaxhimin e emergjencave, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për bashkitë dhe qarqet përreth. Efektivët e Mengelit, tha ai, kanë qenë të angazhuar në të gjithë vendin, përfshirë edhe në përmbytjet e fundit, dhe do të vijojnë të jenë në vijën e parë të reagimit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përfundimit të infrastrukturës mbështetëse dhe pajisjes së repartit me mjete të reja, të cilat pritet të mbërrijnë gjatë pranverës, duke forcuar flotën operacionale të bazës përmes industrisë ushtarake. Mengeli, për shkak të pozicionimit strategjik në Korridorin VIII është përzgjedhur si një bazë prioritare për investime, duke shërbyer si korridor sigurie dhe logjistik, si dhe si kapacitet pritës për trupat e NATO-s gjatë dislokimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Gjatë takimit me efektivët, ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohje për angazhimin e tyre në misione që shpesh shkojnë përtej detyrave klasike ushtarake, veçanërisht në përballimin e emergjencave civile. Ai theksoi angazhimin e institucionit për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës në repart, përfshirë akomodimin, ushqimin dhe pajisjet, duke e konsideruar Mengelin si një prioritet investimesh për vitin në vijim.
Ministri Vengu vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Bashkinë e Elbasanit, duke theksuar se koordinimi mes Forcave të Armatosura dhe pushtetit vendor është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për reagimin efektiv ndaj situatave të emergjencës.