Ministry of Defence - Republic of Albania

06/17/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/17/2026 13:01

Ministri Nufi takon në Pentagon Nënsekretarin amerikan të Luftës për Politikat, Elbridge A. Colby

Ministri Nufi takon në Pentagon Nënsekretarin amerikan të Luftës për Politikat, Elbridge A. Colby

e mërkurë, 17 qershor 2026 20:55

Ministri i Mbrojtjes, z.Ermal Nufi zhvilloi një takim në Pentagon me nënsekretarin amerikan të Luftës për Politikat, Elbridge A. Colby. Në fokus të bisedimeve ishin situata e sigurisë në hapësirën euro-atlantike dhe forcimi i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas takimit, ministri Nufi vlerësoi bisedën e zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave të reja që po ndikojnë mjedisin e sigurisë ndërkombëtare.

Sipas ministrit të Mbrojtjes z.Ermal Nufi, partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-së mbështetet mbi vlera të përbashkëta, besim të ndërsjellë dhe angazhim të qëndrueshëm për paqen, stabilitetin dhe mbrojtjen kolektive. Ai nënvizoi se, në kushtet e një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks, bashkërendimi i veprimeve mes vendeve aleate mbetet një element kyç për mbrojtjen e interesave të përbashkëta dhe forcimin e sigurisë transatlantike.

"Shqipëria vlerëson thellësisht lidershipin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si një aleate e besueshme në NATO, duke kontribuar për një Aleancë më të fortë, më të sigurt dhe më kompakte", - shprehet ministri Nufi në reagimin e tij, pas takimit.

Takimi në Pentagon u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit të Mbrojtjes në SHBA dhe konfirmon nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin euro-atlantik.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on June 17, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on June 17, 2026 at 19:01 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]