01/22/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/22/2026 07:09
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi kompleksin stërvitor në Bizë/Pajet, një investim strategjik që synon modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të trajnimit të Forcave të Armatosura si dhe zhvillimin e stërvitjeve ndërkombëtare sipas standardeve bashkëkohore të NATO-s.
Gjatë inspektimit, ministri Vengu u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet funksionale të kompleksit, i cili përfaqëson një pol të ri modernizimi për përgatitjen operacionale të trupave dhe rritjen e ndërveprimit me partnerët ndërkombëtarë.
Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet ka kapacitet akomodimi deri në 1 200 persona dhe ofron kushte të plota fjetjeje, ushqimi, ambiente moderne dhe shërbime të tjera thelbësore, duke garantuar mbështetje logjistike dhe operacionale për zhvillimin e stërvitjeve të zgjatura dhe komplekse.
Ministri Vengu theksoi se ky investim është një element kyç për rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët strategjikë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor aktiv dhe të besueshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Ky kompleks stërvitor do të jetë funksional për stërvitjen kryesore të FA që pritet të zhvillohet në muajin shtator për certifikimin e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë sipas standardeve të NATO-s si dhe për stërvitje dypalëshe e shumëkombëshe si ajo "Defender Europe 2027".