06/23/2026 | News release | Distributed by Public on 06/24/2026 05:32
Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, nënshkrimi i Memorandumit me kompaninë ENI
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të kompanisë ENI,
Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,
Sot shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt forcimit të sigurisë energjetike kombëtare dhe ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më rezistent ndaj sfidave të së ardhmes.
Nënshkrimi i këtij Memorandumi Bashkëpunimi me kompaninë e mirënjohur ENI, një nga kompanitë më të rëndësishme energjetike në Europë dhe që fatmirësisht është edhe partner afatgjatë në Shqipëri, përfaqëson një hap konkret drejt vlerësimit të mundësive për të krijuar një Hub energjetik për të gjitha produktet energjetike në vendin tonë.
Ky memorandum parashikon studimin dhe bërjen e mundur në faza të ndryshme të studimeve, projekte strategjik, vlerësimin e mundësive për furnizimin e tregut shqiptar me produkte energjetike dhe mbështetjen e stoqeve strategjike kombëtare, si dhe analizimin e modeleve të mundshme të bashkëpunimit për menaxhimin e këtyre stokimeve.
Për Qeverinë Shqiptare, siguria energjetike nuk është thjesht një objektiv sektorial. Ajo është një komponent themelor i sigurisë kombëtare, i zhvillimit ekonomik dhe i mirëqenies së qytetarëve.
Ngjarjet e fundit kanë treguar që tregjet energjetike globale mund të ndikohen nga krizat gjeopolitike, konfliktet rajonale, luhatje të çmimeve apo ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit. Për këtë arsye qeveria jonë ka ndërmarrë një qasje të qartë dhe afatgjatë, të ndërtojë instrumente të qëndrueshme që garantojnë furnizimin me energji dhe produkte energjetike në çdo rrethanë.
Në këtë kuptim, patjetër ne kemi punuar intensivisht për diversifikimin e burimeve të rinovueshme, kujtoj këtu që Shqipëria nga një vend që prodhonte 100% vetëm nga hidrocentralet në vetëm pak vite tashmë mbi 10% e energjisë së prodhuar në vendin tonë vjen nga energjia fotovoltaike. Që nënkupton të gjitha nismat që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë për diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri.
Objektivi ynë është i qartë. Të rrisim sigurinë e furnizimit, të ulim ekspozimin ndaj goditjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe të sigurojmë që ekonomia shqiptare të ketë energjinë e nevojshme për të mbështetur zhvillimin afatgjatë.
Në të njëjtën linjë është vlerësuar maksimalisht edhe sektori i hidrokarbureve, ku qeveria ka marrë hapa të rëndësishëm për rregullimin sektorial të të gjithë këtij biznesi në Shqipëri.
Në planin afatgjatë, për t'i dhënë një zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme çështjes së furnizimit me karburante në Shqipëri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës në Shqipëri e cila tashmë është konsultuar me ministritë e linjës dhe është gati për tu dërguar në parlament.
Ky projektligj vendos një standard të ri për Shqipërinë. Garanton që vendi ynë të ketë rezerva të mjaftueshme për të përballuar çdo krizë të papritur në furnizim, si dhe kalojmë nga logjika e reagimit ndaj krizës, tek logjika e parandalimit dhe planifikimit. Përmes këtij ligji, Shqipëria do të disponojë rezerva sigurie të karburanteve të mbrojtura dhe të disponueshme në çdo moment, të administruara nga një strukturë e dedikuar dhe profesionale. Dhe në fakt edhe marrëveshja që ne po bëjmë me ENI-n është një nga ato elementët e rëndësishme për krijimin e këtij mekanizimi stokimi.
Mbi të gjitha, ky ligj sanksionon një parim themelor, siguria energjetike nuk mund të mbështetet vetëm tek mekanizmat e tregut. Ajo është një përgjegjësi strategjike e shtetit. Njëkohësisht, kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet europiane, pasi përafron legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Europian.
Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme studimi i mundësisë për krijimin e një Hub-i Kombëtar të Produkteve Energjetike dhe merr një rëndësi të veçantë për këtë qëllim. Ai mund të përbëjë një instrument të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve kombëtare të magazinimit, garantimin e stoqeve strategjike dhe për rritjen e sigurisë së furnizimit për ekonominë shqiptare.
Sot nuk po marrim një vendim definitiv për një investim. Sot po ndërmarrim hapin e duhur për të studiuar me seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të gjitha alternativat që mund të kontribuojnë në sigurinë energjetike të vendit.
Dëshiroj sigurisht të falënderoj ENI-n për gatishmërinë, ekspertizën dhe partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë. Jam i bindur se ky bashkëpunim do të na ndihmojë të vlerësojmë në mënyrë objektive potencialin e këtij projekti dhe të identifikojmë zgjidhjet më të mira për interesin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit.
Shqipëria po ndërton sot themelet e një sigurie energjetike të dekadave që vijnë. Dhe për këtë e bëjmë me vizion, me partnerë të besueshëm dhe me vendosmërinë për të garantuar që qytetarët dhe ekonomia jonë të kenë sigurinë që meritojnë.
Faleminderit!