Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

06/04/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/04/2026 07:20

Plani i Rritjes së BE, Ministri Hoxha: Shqipëria vlerësohet nga KE si e para në rajon për cilësinë e Agjendës së Reformave dhe nivelin e fondeve të disbursuara

Qeveria shqiptare e konsideron Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe Agjendën Kombëtare të Reformave si mundësi reale për modernizimin e shtetit dhe vendit dhe përshpejtimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një interpelance me fokus jetësimin e agjendës së reformave dhe përfitimet konkrete të Shqipërisë nga Plani i Rritjes.

Rezultatet e Shqipërisë në këtë drejtim, theksoi Hoxha, janë më të mirat në rajon dhe konkretisht, në vlerësimin e Komisionit Evropian, Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave; përqindjen e hapave të realizuar; dhe nivelin e fondeve të disbursuara.

Sipas Ministrit, ky është një tregues i seriozitetit institucional por edhe i kapacitetit për të menaxhuar instrumente komplekse evropiane.

"Rezultatet e Shqipërisë janë më të mirat në rajon. Ky nuk është vlerësimi ynë, është vlerësim i Komisionit Evropian. Dhe këto janë më të mirat në tre aspekte: në cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave; përqindjen ose numrin e masave të realizuara deri tani; dhe nivelin e fondeve, shumën e disbursuar që kemi marrë në kuadër të paketës financiare. Ky është një tregues i seriozitetit institucional por edhe i kapacitetit që ka administrata publike shqiptare, institucionet shqiptare, për të menaxhuar instrumente komplekse evropiane.

Vetëm dy javë më parë, më 20 maj 2026, Komisioni Evropian vuri në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë. Kjo është kërkesa e tretë për pagesë dhe është pjesë e vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të zbatuara në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit.

Në total, deri më tani, Shqipëria ka realizuar 33 hapa, Mali i Zi 32, Maqedonia e Veriut 22. Pas këtij disbursimi të fundit që është bërë në maj, shuma totale e disbursuar në kuadër të këtij instrumenti, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut. Po flas për vendet që janë të përfshira me të njëjtën filozofi, me të njëjtën paketë", deklaroi Hoxha.

Për Shqipërinë, paketa e përgjithshme financiare arrin në 922 milionë euro për periudhën 2024-2027.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on June 04, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on June 04, 2026 at 13:20 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]