Results

Ministry of Defence - Republic of Albania

07/03/2026 | Press release | Archived content

Çelja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, fjalë e plotë e Ministrit Nufi

Çelja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, fjalë e plotë e Ministrit Nufi

e premte, 03 korrik 2026 16:32

I Nderuar Kryeministër,

Të nderuar partnerë dhe aleatë,

Të nderuar pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,

Të dashur kursantë të gjeneratës së parë të Shkollës Kombëtare të Fluturimit,

Kjo është ditë shumë e rëndësishme për çeljen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit.

Ne nuk po përurojmë thjesht një strukturë të re arsimimi apo trajnimi, por po hedhim një tjetër gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcës tonë Ajrore të së ardhmes.

Po shënojmë krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare - një kapacitet që lidhet drejtpërdrejt me një nga elementët më të rëndësishëm të fuqisë sonë mbrojtëse, që janë kapacitetet njerëzore.

Shkolla Kombëtare e Fluturimit është ndërthurje e kapitalit njerëzor, teknologjisë moderne dhe standardeve ndërkombëtare.

Ajo përfaqëson një hap me vlerë drejt transformimit dhe modernizimit të Forcës Ajrore, duke krijuar mundësinë që pilotët, kontrollorët dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në fluturimin e këtyre mjeteve, të përgatiten sipas metodologjisë më të avancuar të aleatëve tanë të NATO-s.

Në këtë kuadër, një rol të veçantë kanë edhe dy helikopterët e rinj të trajnimit: Bell 505, të cilët i janë bashkuar tashmë kapaciteteve të Forcave tona Ajrore si platformë moderne për formimin e pilotëve të së ardhmes. Ato do të krijojnë kushtet që kursantët të zhvillojnë aftësitë e tyre në një mjedis trajnimi që i përgjigjet kërkesave të kohës.

Investimet në infrastrukturë, teknologji, dhe mbi të gjitha në zhvillimin e burimeve njerëzore janë pjesë e një strategjie afatgjatë, që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë, më të besueshme në kuadër të NATO-s.

Në këtë kuadër, kjo shkollë mishëron vizionin e Qeverisë Shqiptare për modernizimin e Forcave të Armatosura, për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, ku ne sot mirëpresim dhe kandidatët e parë të këtij rrugëtimi të ri.

Ata nuk janë vetëm kursantë të thjeshtë në një programi trajnimi! Ata janë pjesë e një misioni më të madh: të ndërtojnë traditën moderne të aviacionit shqiptar dhe të mbajnë mbi supe përgjegjësi që kërkon profesionalizëm maksimal.

Duke i uruar me zemër vetëm suksese, secilit prej kandidatëve në këtë rrugëtim sfidues dhe me karakter, kam bindjen e plotë se këta të rinj do ta plotësojnë me dinjitet përgjegjësinë që mbart uniforma dhe do të bëhen shembull i brezit të ri të Forcës Ajrore.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për bashkëpunëtorët tanë, kompaninë ELBIT, e cila me përvojë të gjatë në fushën e trajnimit dhe teknologjisë së aviacionit, na ka ndihmuar në këtë hap konkret që ne po hedhim sot.

Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti: shoqërinë KAYO, personelin e Forcave të Armatosura, institucionet shqiptare dhe të gjithë profesionistët që kanë punuar për ta kthyer këtë vizion në realitet.

Jam shumë krenar që sot nëpërmjet kësaj shkolle, po ndërtojmë vlerë të shtuar për të gjithë sistemin e përgatitjes së pilotëve ushtarakë dhe kontrollorëve të fluturimit. Ky investim është një vlerë e shtuar për sigurinë kombëtare, profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura dhe të ardhmes së vendit.

Sot, do të përsëris fjalët që thashë para 3 ditësh në kantierin e FINCANTIERI-t, është falë vizionit të Kryeministrit, falë këmbënguljes së tij që Forcat e Armatosura po transformohen me një hap të jashtëzakonshëm.

Faleminderit të gjithëve!


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on July 03, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on July 22, 2026 at 10:45 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]