Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

01/27/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/27/2026 07:58

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Spiropali: Shpëtimi i hebrenjve, maja morale e historisë sonë

*Spiropali: Shqipëria do i qëndrojë busullës së saj morale si Anëtare e Bordit të Paqes të Presidentit Trump*

*Ministri i Jashtëm i Izraelit: Historia e Shqipërisë, shembull morali dhe guximi për mbarë botën*

***

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nën temën "Ura që lidh brezat".

Ceremonia nisi në oborrin e pasëm të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me mbjelljen e një peme ulliri, simbol i paqes, kujtesës dhe vazhdimësisë.

Spiropali risolli në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Izraelit për të dëshmuar forcën e humanizmit të shqiptarëve me aktin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.

"Dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit. 'Arin po, hebrenjtë jo', ishte në vitin 1943, përgjigja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria, ishte i vetmi vend në Europë, që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura e të ashtuquajtura më të qytetëruara ranë pre e një flame totalitare që i zhveshi nga kodet njerëzore e morale, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë", tha Spiropali.

Sipas Ministres së Jashtme, "orientimi ynë i drejtë, qasja jonë parimore dhe kontributi përtej madhësisë së vendit e numrit të popullsisë në politikën tonë të jashtme, e organizmat ndërkombëtarë e ka bërë Shqipërinë një partner e aleat të vlerësuar e të besueshëm."

"Shqipëria vendosi t'i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes së Presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama. Si një vend që dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike, Shqipëria ka ç'i dëshmon e ofron botës edhe në këtë format me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra e të reja. Duke nisur nga Gaza, në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhje e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliket e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen, Shqipëria i ka qëndruar dhe do i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë", nënvijëzoi Spiropali.

Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa'ar, i cili theksoi se "historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën."

"Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë deportoheshin drejt kampeve të vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t'i mbrojtur ata, në emër të kodit të tij të nderit, Besës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebre, jo vetëm që mbijetoi, por u shtua ne numër gjatë Holokaustit. Kjo është një e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë. Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj, për shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot dhe çmojmë miqësinë e fortë si dhe udhëheqjen morale të Kryeministrit Edi Rama. Zonja dhe zotërinj, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë gjatë Holokaustit. Kurrë më", deklaroi Ministri Sa'ar.

Në ceremoni morën pjesë nxënësit e Shkollës Gjermane "Refik Veseli" në Berlin dhe të Gjimnazit "Sami Frashëri", të cilat vendosen në "Pemën e Kujtesës" mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on January 27, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on January 27, 2026 at 13:58 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]