Ministry of Defence - Republic of Albania

12/29/2025 | Press release | Distributed by Public on 12/29/2025 09:30

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu në ceremoninë e betimit të 387 ushtarakëve të rinj.

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu në ceremoninë e betimit të 387 ushtarakëve të rinj.

e hënë, 29 dhjetor 2025 16:07

I nderuar president i Republikës,
i nderuar shef i Shtabit të Përgjithshëm,
të nderuar oficerë, instruktorë dhe pedagogë,
të dashur rekrutë, kadetë dhe studentë ushtarakë,
të nderuar familjarë dhe të ftuar,

kur u rreshtuat për herë të parë në këtë shesh, përpara se të shpërndaheshit për stërvitjen tuaj bazë, secili prej jush ishte një emër i ri në rreshtimin e parë. Sot, teksa qëndroni këtu për të bërë betimin, jeni pjesë e një trupi të përbashkët. Sot jeni pjesë e forcave të gjalla të këtij kombi, pjesë e një familje të madhe qytetarësh, që besojnë se siguria, stabiliteti dhe e ardhmja e këtij vendi mbrohen nga përkushtimi juaj.

Ju jeni garantët e këtij besimi!

Forcat e Armatosura nuk janë thjesht një strukturë. Ato janë një trup besimi, disipline dhe përgjegjësie. Një përkatësi që do t'ju shoqërojë gjatë gjithë jetës - në shërbim dhe në karakter.

Është për t'u vlerësuar fakti që i bashkoheni Forcave të Armatosura vullnetarisht, në një kohë kur kontinenti dhe rajoni ynë përballen me sfida të mëdha dhe shumë vende po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm.

Ju nuk jeni këtu sepse ju është kërkuar. Ju jeni këtu sepse keni zgjedhur të jeni. Dhe kjo zgjedhje ka peshë morale, shoqërore dhe strategjike.
Për këtë, ju falënderoj.

Por kjo zgjedhje nuk fillon sot. Ajo mbështetet mbi breza ushtarakësh që shërbyen në kushte shumë më të vështira, me më pak mjete, por me të njëjtin përkushtim. Ata janë kujtesa se, shërbimi ushtarak është një rrugë nderi, por edhe sakrifice.

Fuqia luftarake nuk matet vetëm me teknologji apo pajisje. Ajo matet mbi të gjitha me kapitalin njerëzor: me karakterin, disiplinën, aftësinë për të vepruar nën presion dhe për të marrë vendime të drejta, kur kushtet janë të vështira.

Pikërisht për këtë arsye, arsimi ushtarak është themeli i forcës sonë.
Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale.

Programi strategjik "Mbrojtja 2030" mbështetet mbi dy shtylla të qarta: kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën kritike.

Investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, në qendrat stërvitore, laboratorët, poligonet dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks. Ato janë domosdoshmëri për një ushtri moderne, të besueshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë.

Sot, Akademia e Forcave të Armatosura është një nga institucionet më serioze të arsimit të lartë në vend. Por asnjë reformë nuk funksionon pa njerëzit që e mbushin me përmbajtje.

Çdo kadet dhe student ushtarak që zgjedh këtë rrugë është pjesë e këtij transformimi. Ju jeni prova se ky vizion po funksionon.

Megjithatë, dua ta them qartë: asnjë infrastrukturë, asnjë teknologji dhe asnjë buxhet nuk zëvendëson karakterin.

Karakteri ndërtohet në stërvitje të lodhshme, në disiplinë të përditshme, në net pa gjumë dhe në momente presioni. Aty formohet oficeri. Aty farkëtohet ushtari.

Në radhët tuaja ka edhe kadetë dhe studentë nga Kosova, që po formohen me të njëjtat standarde dhe vlera. Ky edukim i përbashkët nuk është retorikë. Është ndërtim real besimi, ndërveprueshmërie dhe sigurie rajonale. Nesër, në misione reale, kjo përkthehet në kohezion, efektivitet dhe sukses operacional.

Ju po përmbyllni fazën e parë të rrugëtimit tuaj ushtarak. Përpara jush janë mundësi për arsimim të mëtejshëm, trajnime brenda dhe jashtë vendit, zhvillim profesional dhe përgjegjësi drejtuese. Shfrytëzojini këto mundësi. Investoni te vetja, sepse duke investuar te vetja, forconi Forcat e Armatosura dhe sigurinë e vendit.

Sot, Forcat e Armatosura janë më shumë se ushtri. Ato janë shtyllë e mbrojtjes kombëtare, përfshirë edhe dimensionin kibernetik, vendimtar për sigurinë e shekullit XXI.
Ato përfaqësojnë një rezervë strategjike të kapitalit njerëzor, jetike për qëndrueshmërinë e kombit.

Ju keni zgjedhur një profesion që nuk premton rehati, por jep kuptim; që nuk garanton lehtësi, por ndërton dinjitet.

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ju falënderoj për gatishmërinë tuaj për të shërbyer.

Qofshi gjithmonë të denjë për betimin që do të bëni sot, për uniformën që mbani dhe për flamurin që përfaqësoni!

Dhe një vit sa më të mbarë për ju dhe familjet tuaja!

Faleminderit.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on December 29, 2025, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on December 29, 2025 at 15:30 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]