04/14/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/14/2026 08:58
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë pune në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku u takua me gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, përfaqësuesin e lartë ushtarak të Misionit të Shqipërisë, si edhe me personelin ushtarak dhe civil të Përfaqësisë së Përhershme të Republikës së Shqipërisë në NATO.
Gjatë takimit, ministri i Mbrojtjes Nufi vlerësoi angazhimin dhe kontributin e përditshëm të personelit ushtarak dhe civil, duke e cilësuar punën e tyre si një shembull të spikatur serioziteti, përkushtimi dhe profesionalizmi.
"Kënaqësi e veçantë takimi sot me ta; një moment për të vlerësuar angazhimin, punën dhe kontributin e tyre të përditshëm, si dhe për të forcuar më tej rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Aleancë", u shpreh ministri Nufi.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar mbi prioritetet, sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimin me Aleatët.