04/01/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/01/2026 08:21
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndau përmes një postimi në platformën X zhvillimin e një bisede të parë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë - Hercegovinës, Elmedin Konaković.
Biseda u zhvillua në një frymë miqësore dhe produktive, duke shërbyer si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve. Të dy ministrat rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë bisedës, palët theksuan se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon duhet të mbeten prioritete kyçe, veçanërisht në kontekstin e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor dhe nevojës për një perspektivë evropiane të ripërtërirë, të besueshme dhe konkrete për rajonin.
Ministri Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë - Hercegovinës, duke dënuar njëkohësisht çdo formë të separatizmit apo veprimet që cënojnë rendin kushtetues të vendit.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin se integrimi në Bashkimi Evropian mbetet një shtytës kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon. Në këtë kuadër, ata riafirmuan angazhimin e plotë të vendeve të tyre për të avancuar në këtë rrugë të përbashkët evropiane përmes reformave, bashkëpunimit të ngushtë dhe përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), si dhe me vlerat dhe standardet e BE-së.
Të dy Ministrat shprehën gatishmërinë për të vijuar koordinimin dhe dialogun e ngushtë në periudhën në vijim.
Postimi i plotë mund të lexohet këtu: