Ministry of Defence - Republic of Albania

04/30/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/30/2026 09:42

Kremtohet 75 - vjetori i krijimit të Forcës Ajrore, Nufi: Pas dy dekadash rikthejmë Shkollën e Aviacionit në Vlorë

Kremtohet 75 - vjetori i krijimit të Forcës Ajrore, Nufi: Pas dy dekadash rikthejmë Shkollën e Aviacionit në Vlorë

e enjte, 30 prill 2026 17:35

Në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, u zhvillua ceremonia e 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar.

Fotogaleria

Në këtë ceremoni jubilare morën pjesë presidenti i Republikës Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve të Aviacionit, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut etj.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj gjatë fjalës përshëndetëse, vlerësoi se transformimi i Forcës Ajrore nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e aleatëve duke theksuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për modernizimin e Forcës Ajrore, Presidenti Begaj e cilësoi planin si ambicioz dhe të domosdoshëm.

"Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, GBAD, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri, një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive", u shpreh presidenti Begaj.

Ministri i Mbrojtjes Nufi foli për një investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash. Shkolla e Aviacionit do të përgatisë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë ajrorë duke ruajtur traditën e aviacionit ushtarak në vend.

"Ringritja e Shkollës së Aviacionit është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve.", u shpreh ministri Nufi.

Më tej, ministri i Mbrojtjes Nufi u shpreh se modernizimi i kapaciteteve ekzistuese është prioritet strategjik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore. Sipas ministrit, baza ajrore taktike e Kuçovës mbetet një pikë kyçe strategjike për Shqipërinë dhe për vetë Aleancën, që rrit rolin e Shqipërisë në rajon.

"Modernizimi i kapaciteteve janë pikërisht investimi në mjete, në teknologji dhe në sisteme që janë thelbësore për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe krucial për realitetin e sotëm të sigurisë. Dhe së fundmi, konsolidimi i aseteve strategjike, si baza ajrore e Kuçovës, ku ne sot kemi zgjedhur pikërisht për të bërë festimin e 75-vjetorit të Forcës Ajrore, i cili nuk është një aset vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe një aset për të gjithë Aleancën Ushtarake të NATO-s, një kontributor i paqes dhe një tregues i forcës ushtarake", u shpreh ministri Nufi.

Duke u ndalur te etapat e historisë së transformimit të Forcës Ajrore, ministri i Mbrojtjes Nufi, vlerësoi kontributin e pilotëve, teknikëve dhe specialistëve që kanë shërbyer me përkushtim e sakrificë, në shërbim të Atdheut, duke dhënë edhe jetën në krye të detyrës.

Më 24 prill 1951, u bë e mundur që të realizohej fluturimi i parë në Hapësirën Ajrore të Republikës së Shqipërisë e cila shënoi dhe datën zyrtare të krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar.

Në këtë ngjarje historike, piloti i talentuar Peço Polena, realizoi fluturimin e parë me aeroplanin tip JAK-9P, të montuar nga specialistët shqiptarë.

Po në këtë ditë, u krijua edhe formacioni i parë për këtë armë dhe u quajt Skuadrilja e parë Luftarake e Aviacionit, me komandant pilotin Babaçe Faiku e kompletuar me 12 avionë tip Jak-9 dhe dislokim në aerodromin e Laprakës në Tiranë.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on April 30, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on April 30, 2026 at 15:43 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]