09/17/2025 | Press release | Distributed by Public on 09/18/2025 06:25
Deklaratë për Media e gjenerallejtënant Arben Kingji, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta Adriatikut (A-5), mbajtur në Tiranë.
[Link]
Është nder dhe kënaqësi që sot, së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Bosnje- Hercegovinës, gjenerallejtënant Gojko Knezevic, si dhe komandantin e Komandës Amerikane në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich, të mirëpresim dhe të bashkëdrejtojmë Konferencën e 28të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut, e njohur ndryshe Iniciativa e A-5.
Në rrugëtimin e saj 22 - vjeçar, kjo iniciativë është zgjeruar në mënyrë graduale, duke u forcuar vit pas viti nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit, stërvitjeve të përbashkëta, por edhe kontributit në misione ndërkombëtare në shërbim të paqes.
Përveç mbështetjes dhe arritjeve në procesin e integrimit euroatlantik, kjo iniciativë ka kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendeve anëtare, rritjen e stabilitetit rajonal dhe fuqizimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës. E zhvilluar me temën "A-5 për Stabilitet dhe Bashkëpunim: Ndërtimi i një mjedisi të sigurt përmes sinergjisë civilo-ushtarake dhe dialogut rajonal", konferenca rikonfirmoi angazhimin e SHBA kundrejt kësaj Karte dhe gjithashtu, rolin e kësaj iniciative për forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e integrimit euroatlantik dhe thellimin e besimit të ndërsjellë mes vendeve anëtare dhe vëzhguese.
Gjatë kësaj konference diskutimet u përqendruan tek dinamikat dhe paqëndrueshmëria e mjedisit të sigurisë rajonale dhe globale, e karakterizuar nga sfida transnacionale komplekse, kërcënime hibride dhe nevoja për rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe rajonale, me qëllim që sfidat e sotme të mos bëhen kërcënimet e nesërme. U theksua se bashkëpunimi i ngushtë, mbështetja e ndërsjellë dhe partneritetet e forta civile-ushtarake janë thelbësore dhe hapa në drejtimin e duhur për të kontribuar në drejtim të stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe për të adresuar shqetësimet e përbashkëta të sigurisë në Evropën Juglindore.
U diskutua mbi arritjet e deritanishme të bëra të mundura në sajë të sinergjisë dhe bashkëpunimit të institucioneve civile dhe forcave të armatosura, duke përmendur si shembuj konkretë bashkëpunimin për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019, të pandemisë COVID-19, apo raste të tjera në të cilat personeli i Forcave të Armatosura ka punuar krah për krah me personelin e institucioneve të tjera në adresimin e emergjencave të ndryshme civile. Ky bashkëpunim, krahas mundësimit për të adresuar në mënyrë efektive sfidat me të cilat jemi përballur, ka kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë jo vetëm brenda radhëve të forcave të armatosura, por dhe në ndërveprimin e tyre me institucionet e tjera të përfshira dhe, për më tepër, lidhjen dhe besimin me popullsinë civile. Me qëllim rritjen dhe efektivitetin e këtij bashkëpunimi civilo - ushtarak, me bashkëbiseduesit në këtë konferencë identifikuam disa nga sfidat, që shoqërojnë këtë proces dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre.
U theksua gjithashtu roli i iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut si një platformë nëpërmjet të cilës mund të harmonizojmë standardet, shkëmbejmë mësimet e nxjerra, përmirësojmë aftësinë tonë reaguese dhe kontribuojmë në zgjerimin e mëtejshëm të iniciativës dhe nxitjen e përpjekjeve të integrimit euroatlantik të vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor. E në këtë drejtim, ashtu si edhe vitin që shkoi dhe vite të tjera më parë, ritheksova politikën e dyerve të hapura të kësaj iniciative dhe anëtarësimin e merituar dhe të vonuar tashmë të Kosovës, si një kontribut thelbësor për stabilitetin rajonal dhe angazhimin për mbrojtjen kolektive.
Anëtarësimi i Kosovës në këtë iniciativë do të zhvillonte dhe më tej suksesin e kësaj iniciative, e cila nuk do të kishte qenë e tillë pa mbështetjen dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë spiranca që na mban të lidhur së bashku dhe njëkohësisht guri i themelit mbi të cilin do të ndërtojmë përpjekjet tona për nxitjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Me këtë rast dëshiroj të falënderoj gjeneral Grynkewich për lidershipin dhe angazhimin e tij personal për ta bërë konferencën e sotme të suksesshme.
Jam i bindur se kjo konferencë dhe udhëtim i parë në Ballkanin Perëndimor, në cilësinë e tij si komandant i Komandës Amerikane në Evropë, i ka shërbyer gjeneral Grynkewich si një mundësi e mirë për të parë nga afër qasjen euroatlantike dhe pro perëndimore të vendeve të kësaj iniciative dhe njëkohësisht, për t'u njohur me zhvillimet kryesore në FARSH, kontributin në kuadër të mbrojtjes kolektive dhe në operacionet e misionet e drejtuara nga Aleanca, si dhe mundësitë që ofron vendi ynë për mbështetjen e Planeve Rajonale të Aleancës.
Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Bosnje - Hercegovinës, gjenerallejtënant Gojko Knežević dhe ekipin e tij, për bashkëpunimin për organizimin dhe bashkëdrejtimin e kësaj konference.
Si gjithnjë, vlerë e shtuar në konferencat e kësaj iniciative janë përfaqësuesit e vendeve vëzhguese, të cilët i falënderoj për angazhimin e tyre dhe diskutimet konstruktive në interes të gjetjes së hapësirave për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak rajonal në funksion të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajon e më gjerë.
Njëkohësisht, dua të shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e gardave kombëtare të SHBA për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në këtë konferencë dhe njëkohësisht për rolin e pazëvendësueshëm që kanë luajtur ndër vite në mbështetje të kësaj iniciative.
Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj ministrin e Mbrojtjes, zotin Pirro Vengu, që na nderoi me pjesëmarrjen në këtë konferencë, qeverinë e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer në drejtim të Forcave të Armatosura dhe personelin e angazhuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj konference.
Ju faleminderit!