11/26/2026 | Press release | Distributed by Public on 11/26/2026 05:12
Të nderuar pjesëmarrës,
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj kolegët tanë nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për krijimin e kësaj kornize kaq efektive diskutimi përmes prezantimeve të tyre të vyera. Ndryshimet e shpejta në kushtet gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike kanë kërkuar vëmendjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të bankierëve qendrorë gjatë viteve të fundit.
Kontributi im sot fokusohet në prezantimin e perspektivës së Shqipërisë, si një vend kandidat për në BE dhe, shpresojmë, vend i ardhshëm anëtar i BE-së në një të ardhme jo shumë të largët.
Së pari, për Shqipërinë, integrimi evropian përbën tashmë një realitet ekonomik. Shqipëria ka lidhje të ngushta ekonomike dhe financiare me Bashkimin Evropian. Në shifra, pothuajse 3/4 e eksporteve tona të mallrave janë të destinuara për tregjet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, BE-ja është burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri, si edhe burim i rëndësishëm i të ardhurave nga turizmi dhe dërgesave të emigrantëve. Njëkohësisht, grupet bankare evropiane kanë prani të konsiderueshme në sistemin tonë financiar, ndërkohë që euroizimi, si në sektorin financiar ashtu edhe në ekonominë reale, mbetet në nivele të larta.
Këto lidhje kanë mbështetur transformimin e ekonomisë sonë, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme të prodhimit dhe punësimit, në forcimin e themeleve ekonomike, si dhe në rritjen e kapaciteteve drejtuese dhe profesionale. Si rezultat, Shqipëria ka arritur një shkallë të konsiderueshme të konvergjencës ciklike dhe, aktualisht, është e angazhuar në zbatimin e një procesi të fortë konvergjence strukturore me ekonominë e Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën kohë, ndërsa avancimi më tej i integrimit evropian rrit shkallën e transmetimit të goditjeve ndërmjet ekonomive, ende janë të pranishme dallime të konsiderueshme si për sa i përket kanaleve të transmetimit të goditjeve, ashtu edhe në reagimin e politikave ekonomike.
Së dyti, për sa i përket pikërisht këtyre dallimeve, për shembull dy goditjet e fundit të lidhura me çmimet e energjisë. Nga pikëpamja strukturore, Shqipëria ishte relativisht e mbrojtur si nga rritja e fortë e çmimeve të gazit gjatë viteve 2022-2023, ashtu edhe nga rritja aktuale e çmimeve të naftës, falë mbështetjes sonë te hidroenergjia për prodhimin në vend të energjisë elektrike. Nga këndvështrimi i politikës monetare, mbiçmimi i fortë i kursit të këmbimit, i nxitur nga një përmirësim i ndjeshëm i balancave të jashtme të ekonomisë, ndihmoi në kufizimin e transmetimit të inflacionit të importuar te çmimet në vend dhe në pritjet për inflacionin. Ky kufizim i dha politikës monetare më shumë hapësirë veprimi, duke bërë të mundur një cikël më pak agresiv të shtrëngimit të saj sesa ai që do të kishte qenë i nevojshëm në rrethana të tjera.
Unë besoj fort se kuadri ynë i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i lirë i kursit të këmbimit i ofrojnë politikës monetare fleksibilitetin e nevojshëm për t'iu përgjigjur kushteve të ekonomisë vendase, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Pika e tretë dhe e fundit lidhet me rolin e bankave qendrore në këtë mjedis gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Ndërsa integrimi ekonomik dhe financiar thellohet, ekonomitë tona bëhen më të ndjeshme ndaj zhvillimeve dhe goditjeve që burojnë nga mjedisi i jashtëm. Megjithatë, dallimet në strukturat ekonomike dhe në kushtet e brendshme të secilit vend mbeten të konsiderueshme. Në këtë kontekst, kuadër të besueshme të politikave, institucione të forta dhe aftësia për t'iu përgjigjur me fleksibilitet rrethanave specifike të çdo ekonomie bëhen elemente thelbësore.
Kjo është pikërisht arsyeja pse pavarësia e bankës qendrore mbetet me rëndësi thelbësore. Pavarësia mundëson që vendimmarrja e bankave qendrore të udhëhiqet nga mandati dhe nga vlerësimi i fakteve ekonomike, e jo nga konsiderata apo presione afatshkurtra. Në këtë mënyrë, ajo ndihmon në ankorimin e pritjeve, ruajtjen e besimit dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik. Në kohë pasigurie, besimi mbetet aseti më i çmuar i politikës monetare.
Për vendet kandidate për anëtarësim në BE, kjo përbën gjithashtu një dimension thelbësor të konvergjencës institucionale. Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligj e ri për " Bankën e Shqipërisë" në nëntor 2026. Ligji i ri është plotësisht i harmonizuar me Acquis-in e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se konvergjenca e vërtetë me standardet evropiane shkon përtej harmonizimit të legjislacionit. Kjo konvergjencë kërkon institucione të afta për të garantuar stabilitet në mënyrë të qëndrueshme, efektive dhe të besueshme në kohë.
Njëkohësisht, konsolidimi i integrimit evropian kërkon edhe forcimin e bashkëpunimit. Vendet kandidate po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve ekonomike dhe financiare me të cilat përballet Evropa, edhe përpara se të përfitojnë plotësisht nga kuadri i saj i mbrojtjes institucionale. Për rrjedhojë, bashkëpunimi më i ngushtë në fushën e mbikëqyrjes, shkëmbimi më intensiv dhe i thellë i informacionit dhe kuadër më të qëndrueshme për përballimin e situatave të stresit financiar janë qartësisht në interesin tonë të përbashkët.
Më lejoni ta mbyll këtë ndërhyrje duke shprehur një notë besimi dhe optimizmi.
Pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme globale, Shqipëria ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm rritjeje ekonomike prej rreth 4%, ka forcuar themelet e saj makroekonomike, ka reduktuar dobësitë dhe ka ndërtuar një sistem bankar rezistent dhe të fortë. Kjo qëndrueshmëri na ofron sigurinë se jemi të mirë pozicionuar për t'u përballur me sukses me sfidat e së ardhmes.
Paralelisht, procesi i integrimit evropian ka shënuar përparim të dukshëm. "Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj. Përmes pjesëmarrjes në SEPA dhe harmonizimit të mëtejshëm me kuadrin rregullator evropian, integrimi financiar po bëhet gjithnjë e më tepër një realitet konkret, duke krijuar mundësi të reja për investime, rritje të produktivitetit dhe përshpejtim të procesit të konvergjencës.
Natyrisht, sfida të rëndësishme mbeten ende para, veçanërisht në fushën e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe kapaciteteve institucionale. Megjithatë, po hyjmë në fazën e ardhshme të integrimit evropian, duke qenë në një pozicion dukshëm më të fortë, me institucione më të konsoliduara, me një ekonomi më të qëndrueshme dhe me një vizion të qartë për të ardhmen tonë evropiane.
Faleminderit!