08/28/2026 | Press release | Distributed by Public on 08/28/2026 10:26
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X lidhur me deklaratat e fundit për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga vende të rajonit në veprimtari të koordinuara hibride.
Ministri Hoxha thekson se, pavarësisht interpretimeve dhe aludimeve të ndryshme mediatike, nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë.
"Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër", shprehet ministri Hoxha.
Ai nënvizon se Shqipëria investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.
Ministri Hoxha thekson gjithashtu rëndësinë e kontakteve të vazhdueshme me autoritetet malazeze, duke bërë të ditur se në këtë rast ka komunikuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ibrahimović, si dhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.
"Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona", shprehet ai.
Në reagimin e tij, Ministri Hoxha nënvizon se politika e jashtme kërkon qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar nevojën që politika e jashtme e vendit të mos kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme.
Reagimin e plotë të Ministrit Ferit Hoxha në platformën X mund ta lexoni këtu:
https://x.com/hoxhafer/status/2093326077837894040?s=46