05/07/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/07/2026 08:05
Nufi: "Shqipëria, partner i besueshëm për sigurinë evropiane"
Nufi: "Të angazhuar për forcimin e partneritetit strategjik me BE dhe NATO"
Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi mikpriti sot Drejtorin për Paqen, Partneritetet dhe Menaxhimin e Krizave në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), z. Cosmin Dobran.
Gjatë takimit u vlerësua Partneriteti për Siguri dhe Mbrojtje, si një platformë praktike për bashkëpunim të strukturuar, ku Shqipëria është plotësisht e angazhuar për vazhdimin e këtij dialogu dhe arritjen e rezultateve konkrete.
Ministri Nufi theksoi se "Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për sigurinë evropiane, duke riafirmuar angazhimin për të thelluar dhe forcuar më tej partneritetin strategjik mes BE-së dhe NATO-s, teksa u shpreh se vendi ynë linjëzohet 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian."
Palët u ndalën edhe te angazhimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse, duke theksuar pjesëmarrjen aktive në operacionet e menaxhimit të krizave të BE-së dhe synimin për ta rritur më tej këtë kontribut.
Në këtë kuadër, Shqipëria kontribuon me një kompani këmbësorie të lehtë prej 125 personeli në Grupbatalionin e BE-së (EUBG-27), pjesë e kapaciteteve të dislokimit të shpejtë të Bashkimit Evropian, nën drejtimin e Italisë. Njëkohësisht, Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në misionin e BE-së EUFOR ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes dislokimit të një toge.
Sakaq, në kuadër të menaxhimit për parandalimin e flukseve migratore të paligjshme në Detin Egje, megjithëse misioni operon nën komandën e NATO-s, anijet e Rojës Bregdetare Shqiptare ndihmojnë edhe Bashkimin Evropian në trajtimin e migracionit të parregullt dhe të jashtëligjshëm, si dhe forcimin e sigurisë detare, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.