07/27/2026 | Press release | Distributed by Public on 07/27/2026 10:25
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi e ka cilësuar ratifikimin nga Kuvendi të Marrëveshjes së Huasë direkte mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një ngjarje historike dhe një dëshmi konkrete e mbështetjes strategjike amerikane për vendin tonë.
Sipas Ministrit Nufi, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në në vitin 1990 dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ky është akti më domethënës i mbështetjes ndaj Shqipërisë në terma konkretë dhe financiarë.
Ministri thekson se kjo marrëveshje nuk përbën thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik që do të shërbejë për:
* sigurinë kombëtare në kuadër të NATO 3.0 dhe angazhimit të Shqipërisë si një aleat i përkushtuar në Aleancë;
* forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave të Armatosura;
* thellimin e partneritetit strategjik të Shqipërisë me aleatin e saj më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri Nufi e vlerësoi këtë zhvillim si një moment me rëndësi të veçantë për sigurinë, mbrojtjen dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.