Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

08/31/2026 | Press release | Distributed by Public on 08/31/2026 03:48

Viti i ri arsimor 2026–2027 / Ministri Hoxha: 17 mijë tekste për fëmijët në Diasporë, gjuha shqipe në themel të trashëgimisë sonë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një videomesazh, foli për përgatitjet për shpërndarjen e teksteve mësimore të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare për vitin shkollor 2026-2027 në Diasporë.

Ministri Hoxha bëri të ditur se për vitin e ri shkollor janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për fëmijët shqiptarë në 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta "Gjuha shqipe" dhe "Kultura shqiptare", për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë.

Duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në Diasporë, Ministri Hoxha u shpreh se "Gjuha shqipe është ADN-ja e kombit tonë", duke theksuar se ajo qëndron në themel të kulturës, identitetit dhe trashëgimisë së përbashkët.

Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Ministrinë e Arsimit, MEPJ do të bëjë çmos për të plotësuar 100% të kërkesave për tekstet mësimore.

Një veçori e rëndësishme e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën.

Ministri Hoxha bëri gjithashtu të ditur se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.

Në përfundim, Ministri Hoxha iu drejtua prindërve dhe mësuesve në Diasporë, duke i ftuar të ndjekin udhëzimet dhe njoftimet e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike shqiptare në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë për procesin e shpërndarjes së teksteve.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on August 31, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on August 31, 2026 at 09:48 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]