Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

05/22/2026 | Press release | Distributed by Public on 05/22/2026 06:09

Ministri Hoxha takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë

Ministri i Punëve të Jashtme, z.Ferit Hoxha zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë z.Margus Tsakhna. Ministri Hoxha e vlerësoi këtë si një takim të parë miqësor dhe produktiv, në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg.

Ai theksoi se në vijim të vizitës së fundit të Kryeministrit Edi Rama në Talin, ka patur një shkëmbim të shkëlqyer mendimesh mbi rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet shumë të forta dypalëshe dhe dëshirën e përbashkët te dy vendeve për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.

Në veçanti, u diskutua përvoja e jashtëzakonshme e Estonisë në digjitalizim, inovacion dhe transformimin e shërbimeve publike dhe qeverisjes së përditshme, fusha ku Shqipëria është e prirur të thellojë bashkëpunimin dhe të përfitojë nga ekspertiza e Estonisë për të forcuar më tej efikasitetin, transparencën dhe administratën publike të orientuar drejt qytetarëve.

Gjithashtu u shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë në rajon dhe mbi përpjekjet e përbashkëta, duke përfshirë edhe si Aleatë të NATO-s, për të forcuar më tej qëndrueshmërinë dhe koordinimin kolektiv në adresimin e sfidave të përbashkëta, përfshirë ato në hapësirën kibernetike, përmes Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), së cilës Shqipëria iu bashkua së fundmi.

Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania published this content on May 22, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on May 22, 2026 at 12:09 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]