03/11/2026 | Press release | Distributed by Public on 03/12/2026 02:46
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, mori pjesë në Forumin e Budapestit për Ballkanin, i zhvilluar në Budapest më 10-11 mars 2026. Në këtë Forum morën pjesë përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit dhe partnerë ndërkombëtarë, për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe sfidat strategjike që lidhen me Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian.
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor si një prioritet kyç për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Forumi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e dialogut politik dhe konsolidimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, znj. Fino theksoi se për Shqipërinë integrimi evropian përbën një mision kombëtar dhe një angazhim të përditshëm institucional, që bashkon shoqërinë dhe kontribuon në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Ajo vuri në dukje përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar se në një periudhë prej vetëm trembëdhjetë muajsh vendi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave. Megjithatë, theksi mbetet tek përmbyllja e kapitujve dhe avancimi i mëtejshëm i reformave, me objektivin për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 dhe me synimin që anëtarësimi në Bashkimin Evropian të bëhet realitet brenda kësaj dekade.
Shqipëria mbetet e përkushtuar për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të mbështetur një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe evropiane për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.