09/14/2026 | Press release | Distributed by Public on 09/14/2026 10:47
Ministri Nufi për Forcën Ajrore: "Jeni shtylla kurrizore e Forcave të Armatosura"
Nënkolonel Bedri Kaloshi mori sot detyrën e komandantit të Bazës Ajrore Farkë, duke pasuar në këtë detyrë nënkolonel Ervin Buzin.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Edmond Voci; si dhe efektivë e personel i Bazës Ajrore.
Ministri Nufi vlerësoi angazhimin e efektivëve të Forcës Ajrore në përballimin e zjarreve dhe emergjencave civile:
"Pas tyre qëndrojnë njerëz që i shërbejnë Atdheut, komunitetit dhe shqiptarëve për t'u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore. Kjo është përmbushja e misionit!", u shpreh ministri.
"Janë ata njerëz që kërkoheshin me zor në orën katër e në pesë të mëngjesit në Krujë; e katër e në pesë të mëngjesit në Himarë; e katër e pesë të mëngjesit në Levan. Duke thënë njerëzit: "O Zot, kur do të vijë mëngjesi, që të vijë helikopteri. Një falënderim i jashtëzakonshëm për të gjithë ju, për të gjithë Forcën Ajrore, për çdo efektiv!" - iu drejtua gjithashtu Ministri Nufi efektivëve të pranishëm.
Ministri Nufi falënderoi nënkolonel Ervin Buzin për 20 vitet e shërbimit dhe veçanërisht për punën e tij në drejtimin e Bazës Ajrore Farkë, ndërsa komandantin e ri, nënkolonel Bedri Kaloshin e uroi për detyrën dhe i kërkoi të vijojë punën e mirë të bërë deri më tani nga i gjithë personeli i Bazës Ajrore Farkë.