10/06/2025 | Press release | Distributed by Public on 10/06/2025 07:59
Në Akademinë e Forcave të Armatosura (AFA) nisi sot zyrtarisht viti i ri akademik. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, pedagogë, familjarë dhe studentë.
Fotogaleria
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu uroi studentët për nisjen e vitit të ri akademik, duke theksuar se ata kanë zgjedhur një nga institucionet më cilësore të arsimit të lartë në vend.
Ministri nënvizoi se interesi për t'u bërë pjesë e Forcave të Armatosura është rritur ndjeshëm vit pas viti.
"Në vitin 2020 kishim 685 aplikime, në vitin 2024 kishim1.114, ndërsa këtë vit plot 1.634 aplikime, një rritje prej 138% në vetëm pesë vite. Nga këta kandidatë janë përzgjedhur fillimisht 400 përmes portalit dhe testimeve, ndërsa në fund janë pranuar 80 më të mirët, prej të cilëve 10 nga Kosova", - theksoi ministri Vengu.
Ai shtoi se rritja e besimit në cilësinë e këtij institucioni vihet re edhe në Kursin e Përgatitjes së Oficerit, ku aplikimet janë dyfishuar.
Duke folur për investimet në infrastrukturë, ministri i Mbrojtjes theksoi se, AFA po ndërton një nga kampuset më moderne të arsimit të lartë në vend, falë një investimi serioz të qeverisë: "Ju do të jeni brezi i parë që do ta përjetojë për pak muaj. I konceptuar me standardet më të larta, ky kampus do të ofrojë godina mësimore bashkëkohore, konvikt, qendër shëndetësore, terrene sportive dhe poligone stërvitore në natyrë", - deklaroi ministri.
Ministri Vengu theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura, tashmë një institucion i akredituar, ka të gjitha mundësitë për të konkurruar me dinjitet në hapësirën e arsimit ushtarak evropian dhe për të qenë në pararojë të transformimit të Forcave të Armatosura shqiptare.
Në këtë vit akademik janë gjithsej 297 studentë, nga të cilët 56 vajza, që ndjekin studimet në tre vitet e Ciklit të Parë dhe në Kursin e Lartë të Përgatitjes së Oficerit.