08/05/2026 | Press release | Distributed by Public on 08/05/2026 09:01
Ministri Nufi: "Partneriteti, investim i rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare"
Në Gjenova të Italisë, në Divizionin e Anijeve Detare të kompanisë FINCANTIERI, u hodh një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, me nënshkrimin e Aktit të Themelimit dhe Statutit të shoqërisë "Fincantieri Albania".
Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi nënvizon se:
"Ky partneritet përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend."
Ndër të tjera, Ministri Nufi shprehet se:
"Shqipëria vijon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me liderët ndërkombëtarë të industrisë, duke krijuar vlerë të shtuar për ekonominë dhe duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare."
Shoqëria "Fincantieri Albania" do të angazhohet në menaxhimin e kantierit detar të Pashalimanit pas modernizimit të tij, si dhe do të mbikëqyrë ndërtimin e anijeve me gjatësi deri në 82 metra dhe me zhvendosje deri në 700 tonë, të destinuara si për tregun vendas, ashtu edhe për atë ndërkombëtar.