01/19/2026 | Press release | Distributed by Public on 01/19/2026 09:34
Deklaratë për mediat e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali:
Përshëndetje,
Sot kam kënaqësi të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, e për mënyrën sesi dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t'ju bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur "Bordi i Paqes", në cilësinë e "Vendit Anëtar Themelues".
Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.
Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i "Bordit të Paqes".
Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik.
Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie.
Pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkë-themeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, jo në Honolulu, po në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet, a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo ftua me nderim të posaçëm.
Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t'i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë - çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë - në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord.
Tamam kur kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t'ju bashkuar Bordit të Paqes si bashkë-themelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit opozitar, a thua se në Bordin e Paqes do të ulet partia e një pjese të shqiptarëve, e jo Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, kudo janë, në çdo truall ku jetojnë ata që flamur mbi të gjithë flamujt, kanë atë të Skënderbeut e të Ismail Qemalit.
E ndërkohë që ky partneritet, bosht kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garanci e pozicionit tonë euroatlantik, fiton një kuotë të re historike dhe edhe një herë akoma, Shqipëria vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj më i madh, SHBA, në pazarin e Tiranës politike numërohen të ftuarit, 10 jo 10 po sa, 210 jo 210 po sa, 60 jo 60 po sa, 10, jo 120…
Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t'ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim.
E nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat e në peshën e tyre të madhe gjeopolitike, kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme, me një përmasë e peshë historike.
Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës. Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.
Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufij, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.
Sipas Statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore. Madje mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe shtetërore.
Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar edhe politikisht, nuk do doja, kur në fakt ky i Bordit të Paqes s'ishte fare rasti për t'i mbushur kanalet e portalet me opozitarizmin e shiut e të borës, po ishte në rastin më opozitar momenti për të heshtur.
Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dezinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.
Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën "SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë", duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht.