Ministry of Defence - Republic of Albania

06/30/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/30/2026 11:05

Përgatitja e brezit të ri të specialistëve për industrinë detare, nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes KAYO, FINCANTIERI dhe Shkollës Industriale 'Pavarësia'

Përgatitja e brezit të ri të specialistëve për industrinë detare, nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes KAYO, FINCANTIERI dhe Shkollës Industriale "Pavarësia"

e martë, 30 qershor 2026 19:01

Ministri Nufi: "Forcojmë kapacitetet e të rinjve në industrinë ushtarake detare. Çojmë përpara punësimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit"

Fotogaleria

Në Bazën Detare të Pashalimanit u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet kompanisë shtetërore KAYO, kompanisë italiane FINCANTIERI dhe Shkollës Industriale "Pavarësia" në Vlorë, një marrëveshje që synon zhvillimin e praktikave profesionale, programeve të formimit dhe krijimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në industrinë e ndërtimit dhe riparimit të anijeve.

Ceremonia u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, drejtorit Ekzekutiv të Fincantieri Pierroberto Folgiero, drejtorit Ekzekutiv të KAYO Ardi Veliu, si dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore e vendore, stafit mësimor dhe nxënësve të Shkollës Industriale "Pavarësia".

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi e cilësoi këtë moment si realizimin e një vizioni të nisur në vitin 2023 për ringritjen e industrisë ushtarake shqiptare dhe shndërrimin e saj në një motor të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

"Ky event sot është përmbushja e të gjithë përpjekjeve tona nga viti 2023 deri më sot; që të ringrejmë industrinë ushtarake dhe të forcojmë partneritetet, në mënyrë që jo vetëm të kemi kapacitete ushtarake, por të kemi edhe të rinj e të reja të përgatitur, që e shtyjnë përpara industrializimin e Republikës, punësimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit", u shpreh ministri Nufi.

Ministri Nufi theksoi se partneriteti me FINCANTIERI sjell në Shqipëri ekspertizën dhe teknologjinë e një prej kompanive më të mëdha botërore të industrisë detare, duke rritur kapacitetet prodhuese të vendit dhe duke forcuar më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.

Memorandumi përbën një hap të ri në bashkëpunimin industrial mes Shqipërisë dhe Italisë dhe krijon bazat për përgatitjen e specialistëve që do të mbështesin zhvillimin e qendrës së re industriale detare në Pashaliman.

Marrëveshja parashikon zhvillimin e moduleve të specializuara të trajnimit, praktikave profesionale dhe iniciativave arsimore për nxënësit e shkollës, me perspektivën e krijimit të një programi të dedikuar për ndërtimin dhe industrinë detare.

Programi i formimit do të përfshijë nxënës të profileve Mekanikë, Elektroteknikë, Termohidraulikë, Shërbime Transporti dhe Teknologji Informacioni e Komunikimi.

Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit zhvilluan një vizitë në Kantierin e Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve në Pashaliman.


Ministry of Defence - Republic of Albania published this content on June 30, 2026, and is solely responsible for the information contained herein. Distributed via Public Technologies (PUBT), unedited and unaltered, on June 30, 2026 at 17:06 UTC. If you believe the information included in the content is inaccurate or outdated and requires editing or removal, please contact us at [email protected]