06/17/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/17/2026 03:16
Është nder dhe kënaqësi të jem këtu për të shënuar së bashku 40-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.
Janë katër dekada rrugëtim, i tillë që më sjell në mendje fjalët e poetit të madh spanjoll Antonio Machado:
"Caminante, no hay camino, se hace camino al andar."
Rruga krijohet duke ecur, duke vepruar, duke ndërtuar hap pas hapi të ardhmen që dëshirojmë.
Y hoy celebramos cuarenta años haciendo camino al andar.
Janë katër dekada gjatë të cilave Shqipëria dhe Spanja kanë ecur krah për krah, dhe kanë ndërtuar një marrëdhënie të bazuar mbi respektin e ndërsjellë, besimin dhe miqësinë dhe partneritetin e qëndrueshëm.
Në themel të kësaj marrëdhënieje qëndrojnë lidhjet ndërmjet dy popujve tanë, dy popuj europianë dhe mesdhetarë, të formuar nga histori të ndryshme, por të bashkuar nga vlera dhe aspirata të përbashkëta.
Dokumentet arkivore dëshmojnë se Spanja e njohu Shqipërinë që në vitin 1922, përmes një note verbale zyrtare, ndërsa në vitin 1929 vendosi në Tiranë praninë e saj diplomatike. Kjo prani u ndërpre një dekadë më vonë, vetëm pak ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë, në prill të vitit 1939.
Do të pasonin 47 vite ndërprerje, një periudhë gjatë së cilës Shqipëria do të përjetonte eksperimentin më të thellë dhe më dramatik politik e shoqëror të historisë së saj moderne: shkëputjen pothuajse të plotë nga Europa Perëndimore, një projekt që synonte të transformonte edhe vetë ndërgjegjen njerëzore, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien e individit me lirinë. Megjithatë, historia dëshmoi se asnjë doktrinë nuk mund të zëvendësojë aspiratën natyrore të njeriut për dinjitet, liri dhe përkatësi ndaj botës së hapur.
Kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës, në vitin 1986, unë isha student.
Shqipëria jetonte ende nën regjimin komunist. Enver Hoxha kishte ndërruar jetë vetëm një vit më parë dhe sistemi që ai kishte ngritur vazhdonte të qëndronte në këmbë, edhe pse shenjat e lodhjes së tij ishin tashmë të dukshme.
Në Europë kishin filluar të frynin erërat e ndryshimit që së shpejti do të transformonin rrënjësisht kontinentin të cilat paralajmëronin fundin e një epoke. Por Shqipëria mbetej e mbyllur, e izoluar dhe e shkëputur nga ritmi i historisë europiane.
Në këtë kontekst, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës nuk përbënte thjesht një akt formal diplomatik. Ajo kishte një domethënie më të thellë.
Spanja kishte kaluar vetë, vite më parë, një nga tranzicionet demokratike më të suksesshme të Europës moderne. Nga një diktaturë e gjatë, ajo ishte shndërruar në një demokraci të konsoliduar dhe në një histori suksesi. Për Shqipërinë e asaj kohe, edhe pse askush nuk mund ta parashikonte ende, afrimi me vende si Spanja përfaqësonte një dritare të vogël shprese drejt një realiteti tjetër.
Historia lëviz shpesh në mënyrë të padukshme për ata që e jetojnë atë, por janë pikërisht këto momente që, më vonë, kuptohen si pararendëse të ndryshimeve të mëdha.
Në atë kohë, përtej ëndrrave të fshehta, dëshirave të pathëna dhe shpresës që mbijetonte në heshtje, askush nuk mund ta imagjinonte se sa rrënjësisht do të ndryshonte Shqipëria në dekadat që do të pasonin.
Nga një vend i izoluar dhe pothuajse i harruar në skajin e kontinentit, thuajse i fshirë nga harta gjeopolitike e Europës, në vetëm pak dekada, më pak se mosha e marrëdhënieve tona diplomatike, Shqipëria është shndërruar, përmes sakrificash, vështirësish por edhe gabimesh, në një demokraci funksionale dhe një partner të besueshëm, anëtare e NATO-s, vatër stabiliteti, sigurie dhe bashkëpunimi në rajon, si dhe një nga vendet kandidate që po avancon me një rritëm të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky transformim është ndërtuar mbi përkushtim e besim, mbi reforma të thella, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, mbi bindjen e palëkundur se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me Europën dhe me vlerat e mbi të cilat është ndërtuar projekti europian.
Sot, si kurrë më parë, objektivi ynë strategjik për anëtarësim në Bashkimin Europian duket më në fund në horizont. Ne e shohim këtë rrugëtim jo vetëm si një sukses kombëtar, por edhe si dëshmi të fuqisë transformuese të vizionit europian.
Gjatë gjithë këtij rrugëtimi transformues, Spanja ka qenë një mike e sinqertë dhe një partnere e çmuar e Shqipërisë.
Ajo ka mbështetur reformat, modernizimin e institucioneve dhe ka qëndruar pranë vendit tonë në momentet kyçe të konsolidimit demokratik dhe të afrimit me Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës time në Spanjë në muajin mars, vizita ime e parë në një vend anëtar të BE-së, me homologun tim, José Manuel Albares Bueno, ramë dakord të punojmë për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e jashtëzakonshëm që ende mbetet për t'u shfrytëzuar në marrëdhëniet tona.
Sepse marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona nuk kanë qenë kurrë më të forta se sot.
Dialogu ynë politik është i shkëlqyer, bashkëpunimi institucional është i konsoliduar, ndërsa shkëmbimet ekonomike, tregtare dhe investimet po njohin një zhvillim të vazhdueshëm. Po aq inkurajuese është edhe rritja e lidhjeve njerëzore dhe kulturore, të cilat përbëjnë bazën më të qëndrueshme të çdo partneriteti afatgjatë.
Një tregues domethënës është edhe rritja e interesit të qytetarëve spanjollë për Shqipërinë. Gjatë vitit 2025, mbi 108 mijë turistë spanjollë vizituan vendin tonë, ndërsa tremujori i parë i këtij viti ka shënuar një rritje të mëtejshme prej më shumë se 17 për qind.
Ndërsa vendi ynë ka hyrë në fazën më dinamike dhe më vendimtare të procesit të saj të integrimit europian, ne e dimë se mund të vazhdojmë të mbështetemi te miqësia, përvoja dhe partneriteti me Spanjën.
Katër dekadat që po lemë pas kanë vendosur themele të forta, por potenciali i marrëdhënieve tona është edhe më i madh.
Me të njëjtin frymë besimi, respekti dhe vizioni të përbashkët europian që na ka udhëhequr deri më sot, Shqipëria dhe Spanja mund të ndërtojnë së bashku dekada të reja partneriteti, miqësie dhe begatie të përbashkët.
Le të vazhdojmë, pra, të ecim së bashku në këtë rrugë.
Sigamos haciendo camino al andar.
Viva la amistad entre Albania y España!
Faleminderit - Muchísimas gracias