06/29/2026 | Press release | Distributed by Public on 06/29/2026 12:05
Përgjatë vizitës në Athinë dhe me ftesë të homologut grek Nikos Dendias, Ministri i Mbrojtjes z. Ermal Nufi mori pjesë në Konferencën e Mbrojtjes së Athinës (Athens Defence Conference), organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit dhe Fondacioni Helen për Evropën dhe Politikën e Jashtme - ELIAMEP.
Ministri Nufi theksoi se në një Evropë që përballet me një mjedis sigurie gjithnjë e më sfidues, koordinimi strategjik mbetet një domosdoshmëri.
Për sa i përket Shqipërisë, ai nënvizoi se vendi ynë jep kontribut të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri për Aleancën e NATO - si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme.
"Ne po rrisim investimet tona dhe po modernizojmë Forcat tona të Armatosura. Kontributi ynë shtrihet në operacionet e NATO-s, misionet e BE-së dhe nismat ndërkombëtare për sigurinë. Ne mbështesim një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme", u shpreh Ministri Nufi në fjalën e tij.
Ndër të tjera, ai theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet pjesë e prioriteteve strategjike të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
"Përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim ndaj sigurisë ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor bëhet më i cenueshëm ndaj ndikimeve keqdashëse, dezinformimit, luftës hibride dhe agjendave destabilizuese", u shpreh Ministri Nufi.
"Konferenca e Mbrojtjes së Athinës" bëri bashkë disa nga zërat më me peshë në fushën e sigurisë, ku po formësohet debati strategjik për çështjet kryesore ndërkombëtare. Në të morën pjesë ministra të mbrojtjes, drejtues të lartë ushtarakë të Aleancës, diplomatë, ekspertë të sigurisë si dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes nga Evropa dhe NATO.