04/18/2026 | Press release | Distributed by Public on 04/18/2026 02:25
Ministri Hoxha zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo, në Forumin Diplomatik të Antalias 2026
Ministri Hoxha postim në X:
Me shumë kënaqësi u ritakova në Forumin Diplomatik të Antalias 2026 me një mike, ish-kolege dhe diplomate të shquar, Nënsekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo.
Në një kohë kur bota përballet me sfida gjithnjë e më komplekse dhe multilateralizmi vihet përballë provave të vazhdueshme, diskutimet tona u përqendruan te çështje me rëndësi të veçantë - nga dinamikat e sigurisë globale te stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor, si dhe tek domosdoshmëria për të forcuar bashkëpunimin dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Rikonfirmova partneritetin e palëkundur të Shqipërisë me Kombet e Bashkuara dhe angazhimin tonë të vendosur ndaj parimeve të Kartës së OKB-së, si dhe nevojën për t'ju përgjigjur me vendosmëri kërcënimeve në zhvillim ndaj paqes dhe sigurisë.
Vijojmë të punojmë ngushtë me Ekipin e OKB-së në Shqipëri në fusha kyçe që mbështesin drejtpërdrejt prioritetin tonë kombëtar - anëtarësimin në Bashkimin Evropian në kuadër të #Horizon2030 - veçanërisht në prag të Raportit Kombëtar Vullnetar që Shqipëria do të paraqesë në korrik.
#ADF2026